2006-11-02 18:29:43

Amerikanët në Irak edhe për tre vjet; Ajatollahu shiit kundër vahabitëve; në Iran raketa me qitje të gjatë e lajme të tjera.


(02.11.06 RV)Trupat amerikane do të qëndrojnë në Irak, të paktën edhe për tre vjet të tjera, derisa autoritetet e Bagdadit të jenë në gjendje të kontrollojnë sigurinë e vendit. Presidenti irakian, Zhalal Talabani, i cili ndodhet për vizitë në Paris, theksoi se Iraku ka nevojë për kohë e ndoshta tre vjet do të jenë të mjaftueshme.
Ndërkaq, në terren vazhdojnë të vriten ushtarë amerikanë. Që nga fillimi i ndërhyrjes në Irak, në mars 2003, numri i tyre ka arritur në 2.805 vetë. Amerikanët kanë hartuar një dokument të rezervuar, sipas të cilit Iraku tashmë ndodhet para kaosit dhe luftës civile. Nga ana tjetër, në Zvicër dënohet personi i parë i përfshirë në ngjarjet e programit të OKB-së “Oil for food” (Naftë në këmbim të ushqimit). Një tregtar nafte është dënuar të paguajë rreth 50 mijë franga zvicerane, por nën proces ndodhen aktualisht rreth 30 vetë. Qëllimi është të sqarohet nëse ka pasur dhunime të embargos kundër Irakut, pastrim parash e korrupsion të funksionarëve të huaj.

Myslimanët ngrenë zërin kundër myslimanëve. “Të ndalojmë tekstet e vahabitëve, që u mësojnë myslimanëve vetëm terrorizmin”. Ky sulm pa precedent vjen nga një ajatollah i madh shiit iranian, Makarem Shirazi, kundër rrymës sunite vahabite, që është një nga shtyllat e fesë në Arabinë Saudite. Autoriteti i rëndësishëm kërkoi fshirjen nga librat e shkollës së mullahëve të çdo lloj teksti vahabit, duke e konsideruar ekzistencën e kësaj rryme si një problem të madh për Islamin, pasi e ka çuar atë gjithnjë mbrapa dhe i ka shkatërruar imazhin.
Sekti i vahabitëve është themeluar në shekullin e 18-të nga Abd al Vahab dhe i akuzon shiitët si politeistë, pasi përveç Muhametit, ata nderojnë edhe 12 pasardhës imamë të familjes së tij.

Irani vazhdon pa u ndalur në politikën e tij bërthamore, të cilën është i gatshëm ta mbrojë me armë. Gjatë ushtrimeve të sotme ushtarake, në ujrat e Gjirit Persik u provua një raketë me qitje të gjatë, mbi një mijë kilometra. Ndërkaq, ish-presidenti iranian Khatami, nga Londra, e quan politikën amerikane në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për të eksportuar demokracinë në zonë, si “një barcaletë të madhe”. Khatami kërkoi tërheqjen sa më të shpejtë të forcave amerikane nga Afganistani dhe Iraku.

72 punonjës myslimanë të aeroportit parizian Sharl dë Gol nuk lejohen që të kalojnë më nga zonat e sigurisë, pasi dyshohen si të rrezikshëm nga administrata. Sipas njoftimit, disa prej këtyre punonjësve kanë shkuar kohët e fundit shpesh në Pakistan dhe Afganistan, ku kanë vizituar kampe stërvitjeje të përdorura nga terroristët, të tjerë kanë lidhje me eksponentë të Al Kaidës. Disa nga punonjësit kanë hedhur në gjyq autoritetet e aeroportit. Mbetet fakti, se megjithë rrezikshmërinë që mund të paraqesin, të gjithë këta punonjës vazhdojnë punën, pasi sipas ligjit francez, para se të pushohen përfundimisht kanë të drejtë t’u përgjigjen akuzave.

Panamaja është kandidatja e re për postin e anëtares jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kompromisi u arrit me ndihmën e dy kandidateve të mëparshme, Venezuelës dhe Guatemalës. Pas 47 votimesh asnjëri prej këtyre vendeve nuk arriti të fitojë dy të tretat e 192 votave të Asamblesë së Përgjithshme.

Armët e mbajtura ilegalisht në Bosnjë kanë shkaktuar 10 mijë viktima që nga fundi i konfliktit. Sipas Adam Huskiç, anëtar i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin boshnjak, në fund të vitit 1995 ekzistonin rreth 300 mijë ushtarë e secili ka mbajtur një armë për vete. Nga policia janë sekuestruar vetëm sasi simbolike materiali luftarak, që në shifra do të shpreheshin kështu: 52 mijë armë të lehta, 35.500 mina, 225 mijë granata, 33 ton eksploziv, 15 milion fishekë, mijëra mortaja dhe dy tankse.








All the contents on this site are copyrighted ©.