2006-11-01 18:00:09

Benedikti XVI në Meshën e 1 nëntorit i quajti Shenjtorët dëshmitarë të një jete të ndritur, që mund ta jetojë çdo njeri. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi të vdekurit.


(1.11.2006 RV)Kisha është ‘Nënë e Shenjtorëve’, dëshmitarë të një jete të ndritur, që mund ta jetojë çdo njeri: këtë theksoi Papa në Meshën për solemnitetin e 1 nëntorit. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke folur për kujtimin e nesërm të të vdekurve, Benedikti XVI e quajti vdekjen paralajmërim për jetën e pasosur.
Shenjtorët dhe të vdekurit e nxisin njeriun modern të mendojë për domethënien e jetës së pasosur, realitet që sot shpesh herë shikohet si mitologji e vjetruar. Këtë nënvizoi sot paradite Benedikti XVI në liturgjinë eukaristike në Bazilikën e Shën Pjetrit e më pas në lutjen e Engjëllit të Tënzot, frymëzuar nga festat liturgjike të 1 e 2 nëntorit. Për të qenë shenjtorë, nuk duhet të kesh karizma të jashtzakonshme – theksoi Papa. E enigma e vdekjes na bën të shpresojmë se jeta jonë nuk merr fund këtu, mbi tokë.
Të njohur ose të panjohur, të nderuar prej shekujsh ose të fshehur në palët e së përditshmes, Shenjtorët janë modeli njerëzor që e afron qiellin me tokën. Janë Burra e Gra, bij të Kishës, që zgjodhën Krishtin, duke i pranuar, pa u fshehur, të gjitha pasojat, edhe më dramatiket. Dëshmuan kështu se caku i lartë i jetës së krishterë, është cak për të gjithë njerëzit, e jo vetëm për njerëzit e jashtzakonshëm; për të gjitha kohërat, e jo vetëm për një epokë. Benedikti XVI i ritheksoi këto parime gjatë Meshës tradicionale të 1 nëntorit, që u kremtua sot me solemnitet të madh në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Ndërmjet navatave të Bazilikës, përplot me besimtarë, Papa bëri të jehojë përsëri pytja e lashtë e një njeriu të njohur të Zotit, Shën Bernardit nga Kiaravale: ‘Ç’vlerë kanë për Shenjtorët lavdërimi e nderimi ynë?’. Përgjigja, e dhënë njëmijë vjet më parë – tha Papa- nuk e ka humbur aspak aktualitetin: ‘Shenjtorët nuk kanë nevojë për nderimet tona, por duke menduar për ta - thoshte Shën Bernardi – më ndizen në shpirt dëshira të mëdha:
“Ja, pra, domethënia e solemnitetit të sotëm: duke pasur parasysh shembullin e ndritur të Shenjtorëve, të zgjojmë në zemrën tonë dëshirën e madhe për të qenë si Shenjtorët, të lumtur, sepse jetojmë pranë Zotit. Të jesh shenjt do të thotë të jetosh afër Zotit, të jetosh në familjen e tij. Kjo e vërtetë, e ripohuar me forcë nga Koncili II i Vatikanit, na propozohet përsëri sot në mënyrë solemne”.
Por ç’kuptojmë me fjalën shenjtëri? – pyeti Benedikti XVI, ç’duhet të bëjmë për të qenë shenjtorë?
“Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi së pari duke u nisur nga ç’nuk duhet të bëjmë: për të qenë shenjtorë, nuk duhet të bëjmë gjëra të jashtzakonshme, as të kemi karizma që pak e kush i ka. Vjen më pas përgjigja për atë që duhet të bëjmë: duhet t’i shërbejmë Krishtit, ta dëgjojmë e ta ndjekim pa u trembur nga asnjë vështirësi. Shenjtëria kërkon përpjekje të vazhdueshme, por është e mundur për të gjithë sepse, më tepër se vepër e njeriut, është dhuratë e Zotit”.
Sigurisht madhështia e dhuratës – nënvizoi Papa – vë në dukje, për kontrast, varfërinë e mjeteve tona. Por siguria që na jep feja e krishterë, larg çdo mburrjeje, qëndron në faktin se Zoti na solli në botë për të qenë shenjtorë, si shenjtorët që kremtoi sot Kisha, si figurat e Besëlidhjes së Vjetër: që nga Abeli i drejtë tek Abrahami “patriarku besnik”.
Shenjtëria, që bashkon besimtarët mbi tokë me realitetet hyjnore, kalon gjithnjë përmes kryqit. Ky pohim i Papës në homelinë e Meshës, u përforcua nga fjalët që i paraprinë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kushtuar misterit të vdekjes dhe përkujtimit të të vdekurve, që Kisha do ta kremtojë nesër. Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën - vërejti Benedikti XVI, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë:
“Para enigmës së vdekjes, shumkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që çliron nga e keqja e nga vdekja”.
Në përshëndetjet pas lutjes së Engjëllit të Tënzot në pesë gjuhë, Benedikti XVI iu drejtua posaçërisht një grupi agostinianësh, të cilët duke ecur në gjurmët e Shën Agostinit, nga Tagaste, qyteti ku ka lindur ipeshkvit të Iponës, sollën këto ditë në Romë ‘Pishtarin e dialogut’, për ta përfunduar më pas shtegtimin në Pavi, ku ndodhet varri Atit të madh të Kishës. Papa e bekoi me kënaqësi si nismën e Urdhërit Agostinian, ashtu edhe dhe Pishtarin, simbol i fesë dhe i paqes.
 

 







All the contents on this site are copyrighted ©.