2006-10-31 17:36:34

Papa emëron kardinalin Umes prefekt të Kongregatës për Klerin dhe imzot Angelo Komastrin, kryeprift të bazilikës së Shën Pjetrit.


(31.10.2006 RV)RealAudioMP3 Sot Papa emëroi prefekt të ri të Kongregatës për Klerin, kardinalin Klaudio Umes dhe Kryeprift të ri të bazilikës së Shën Pjetrit, kryeipeshkvin Angjelo Komastri: zënë përkatësisht vendin e kardinajve Kastrijon Hojos dhe Françesko Markizano.
Kardinali brazilian Klaudio Umes, deri tani kryeipeshkëv i San Paolos, zevendëson Kardinalin Dario Kastrijon Hojos, që largohet nga detyra për arsye moshe; ndërsa kryeipeshkvi Angjelo Komastri, deri tani vikar i përgjithshëm për Qytet-Shtetin e Vatikanit, drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit dhe kryeprift-ndihmës i bazilikës, zevendëson kardinalin 77 vjeçar Françesko Markizano.
Kardinali Umes, 72 vjeç, meshtar françeskan që prej 24 vjetësh, shuguruar ipeshkëv në vitin 1975, u emërua në vitin 1998 kryeipeshkëv i San Paolos. U bë menjëherë i njohur për dialogun ekumenik dhe promovimin e laikatit. U shqua posaçërisht për mbështetjen e punëtorëve dhe të sindikatave, duke marrë pjesë ndër protestat e punëtorëve si ipeshkëv përgjegjës për punën baritore në gjirin e njerëzve të punës në Brazil. Është një nga organizatorët e Takimit botëror të familjeve me Papën kremtuar në Rio de Zhanejro në vitin 1997. I krijuar kardinal nga Papa Gjon Pali II në vitin 2001, luajti një rol të dorës së parë për formimin e meshtarëve dhe për ungjillëzimin përmes mjeteve të komunikimit. Kryeprifti i ri i bazilikës së Shën Pjetrit, imzot Angjelo Komastri është 63 vjeç: u shugurua meshtar në moshën 24 vjeçe; në vitet 1996-2005 ishte kryeipeshkëv prelat i Loretos, delegat papnor për Shenjtëroren Lauretane. Ka qenë edhe kryetar i Komitetit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për Jubileun e madh të 2000-it. Në vitin 2003 predikoi ushtrimet shpirtërore në Vatikan, në praninë e Gjon Palit II. Benedikti XVI e ka ngarkuar të përgatisë tekstet e Udhës së Kryqit 2006.







All the contents on this site are copyrighted ©.