2006-10-30 16:48:55

Të krishterët vuajnë më shumë në Irak e lajme të tjera.


(30.10.06 RV)RealAudioMP3 Të paktën 5 atentate sot në Irak. Gjatë shpërthimit të 5 autobombave në zona të ndryshme të Bagdadit mbetën të vrarë 42 vetë dhe u plagosën rreth 105 të tjerë. Ndërkaq, rifilloi procesi kundër Sadam Hyseinit e bashkëpunëtorëve të tij mbi masakrimin e 180 mijë kurdëve në vitet 1987-88. Avokatët e Sadamit u larguan nga salla, kur prokurori refuzoi 12 kushtet e paraqitura prej tyre, për t’u dhënë fund protestave, që e ndërprenë procesin për 10 ditë.
Në situatën e vështirë që përjeton Iraku, të krishterët janë ata që vuajnë më shumë. Për kushtet e tyre flet sot në mikrofonin tonë gazetari siro-katolik irakian, Uilliam Uarda, i cili ndodhet në Itali për të marrë çmimin e shoqatës “Siguria dhe Liria e Informacionit”, me qendër në Sienë:
Të krishterët sot në Irak vuajnë shumë. Janë viktima të kërcënimeve të vazhdueshme, sidomos në zonat e Bagdadit dhe të Mosulit. Të krishterët po largohen nga këto zona, po zhvendosen drejt veriut. Pas sulmeve të kohëve të fundit kundër kishave të krishtera në Irak e kundër meshtarëve lokalë, të cilët rrëmbehen dhe vriten, situata është keqësuar: tani të krishterët po përpiqen të ikin edhe drejt vendeve të tjera, në Siri, në Jordani, në Evropë. Duhet gjetur një zgjidhje edhe për ta.

Lula da Silva rikonfirmohet president i Brazilit. Në ballotazhin e djeshëm, kreu i shtetit fitoi dukshëm me 60% të votave në krahasim me 39% të kundërshtarit të tij socialdemokrat Xheraldo Alkmin. Rizgjedhja e tij tregon se gjatë fushatës elektorale, da Silva arriti të bindë atë klasë të mesme, baraz me një të tretën e popullsisë, që në turnin e parë kishte votuar kundër tij për shkak të skandaleve të korrupsionit brenda partisë. Lufta kundër varfërisë mbetet një nga përparësitë e programit të da Silvës.

Normat e reja mbi përmasat e bagazhit të dorës në transportin ajror do të hyjnë në fuqi më 17 prill të vitit të ardhshëm, ndërsa nga e hëna e ardhshme vlejnë të gjitha kufizimet përsa i përket mbajtjes së lëngjeve në avion. Lejohen vetëm 100 ml lëngje, pak a shumë gjysëm gote ujë. Gjithashtu është e detyrueshme që shishet e përdorura të mbahen në qese të tejdukshme. Ndërkaq, duke filluar nga 17 prilli 2007, bagazhi i dorës duhet të jetë rigorozisht me përmasat 56x45x25 centimetra. Më parë ky kufizim ishte vetëm fakoltativ.







All the contents on this site are copyrighted ©.