2006-10-30 16:33:46

Lind në Romë biblioteka evropiane; Mediat evropiane me pak kulturë; Të uriturit nuk do të përgjysmohen në vitin 2015.


(30.10.06 RV)Lind në Romë biblioteka evropiane për të favorizuar dialogun ndërmjet kulturave. E ka selinë në Institutin prestigjoz gjerman, Gëte Institut, por përmbledh impenjimin edhe të ambasadave dhe instituteve të Francës, Hollandës, Austrisë dhe Spanjës. Fondi fillestar, në zgjerim e sipër, përmban 4 mijë tituj, 10 mijë dokumente me prejardhje të ndryshme e madje, edhe një seksion për fëmijët e të rinjtë prej 800 librash, nga autorët më të rëndësishëm evropianë. Informacione të tjera mund të gjenden në faqen e internetit www.bibliotecaeuropea.it.


“Dieta mediatike e italianëve në skenarin evropian”: kjo është tema e Raportit IV mbi komunikimin shoqëror hartuar nga Censis dhe Ucsi – Bashkimi Katolik i Shtypit Italian. Dokumenti, i paraqitur sot paradite në Romë, zbulon një realitet evropian të brishtë nga pikpamja kulturore, në të cilin oferta komunikative është e gjerë vetëm si sasi dhe jo si cilësi. Në një Evropë, ku gati 95% e popullsisë sheh televizionin si medium kryesor, kultura e vërtetë është komunikimi përtej çdo llogjike, që nuk ndjek më rregullat e kërkesës dhe ofertës, por zhytet në një realitet virtual, pa përmbajtje. Në Francë e Spanjë njerëzit akoma lexojnë libra, aktivitet që përfshin dy të tretat e popullsisë, por në Itali vetëm gjysma e popullsisë lexon një libër në vit. Përsa i përket internetit, janë popullsitë e Evropës Veriore që e konsiderojnë një burim të vërtetë informacioni, ndërsa në jug akoma duhet të përhapet si duhet.

Programi Ushqimor Botëror është i detyruar të pranojë se objektivi i mijëvjeçarit, që parashikonte përgjysmimin e urisë në botë brenda vitit 2015, nuk do të arrihet.
Në një konferencë shtypi sot paradite në Romë, organizuar për paraqitjen e raportit mbi gjendjen e pasigurisë ushqimore në botë, drejtori Zhak Diëf, me tone të ashpra, nënvizoi se shtetet nuk i kanë mbajtur premtimet e bëra 10 vjet më parë, prandaj numri i personave të uritur në botë ka mbetur pak a shumë i njëjtë. Rreth 815 milion vetë vuajnë nga uria në Azinë juglindore, në Afrikën subsahariane dhe në Amerikën Latine. E të mendohet se për ta ndryshuar këtë situatë do të mjaftonte vetëm 0,7% e Prodhimit të Brendshëm Brut të vendeve të zhvilluara. Por nevojitet edhe që vendet në zhvillim të ndërmarrin programe të vlefshme për bujqësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.