Duke shfletuar kalendarin e 30 tetorit, Kisha kremtoi Shën Gjermanin.
(30.10.2006 RV)Kush dëshiron ta
njohë më thellësisht Shën Gjermanin, mund të shfrytëzojë një bibliografi të pasur,
që flet për të e për veprimtarinë e tij, duke filluar nga libri me titull “Jeta e
Shën Gjermanit”. Vepra, shkruar tre shekuj pas vdekjes, jep njoftime të përgjithshme
për jetën e ipeshkvit shenjt. Gjermani lindi në Kapua, në shekullin V. Ishte
bir i Amancios e Gjulianës, qytetarë të shquar të qytetit historik. Pas vdekjes së
babait, Gjermani trashëgoi një pasuri të madhe. Me miratimin e s’ëmës, shiti gjithçka
kishte lënë i jati. Paratë e fituara nga shitja, ua ndau të varfërve. Kështu mundi
t’i kushtohej plotësisht jetës shpirtërore, për të cilën ishte i thirrur dhe t’i kalonte
ditët e jetës tokësore me lexime të shenjta, lutje e pendesë. Në vitin 519, pas vdekjes
së ipeshkvit të Kapuas, sipas zakonit të kohës, kleri dhe populli e zgjodhën Shenjtin
në vendin prelatit të vdekur. Jetoi në kohën e skizmës akaçiane, që mori emrin e patrikut
të Kostandinopjës, Akaçio. Skizma zgjati 35 vjet dhe e ndau Kishën e Lindjes nga
Roma. Por që në ditët e para të zgjedhjes së Justinianit, perandori kërkoi nga
papa të dërgonte një delegacion për të rivendosur paqen ndërmjet dy Kishave. E papa
e dërgoi menjëherë delegacionin, në krye të cilit caktoi ipeshkvin e Kapuas, Gjermanin,
gjë që tregon sa i urtë e i virtytshëm ishte Shenjti. Delegacioni, i pritur triumfalisht
në Kostantinopojë, ia doli mbanesh t’i bindte kundërshtarët ta pranonin formulën e
papës. Ishte e Enjtja e Madhe e vitit të largët 519. Këshu u rivendos paqja e u
kapërcye rreziku i thellimit të përçarjes. Delegatët e papës ndejën një vit të tërë
në Bizanc, për ta përforcuar rezultatin e madh që ishte arritur, për ta përhapur edhe
në Kishat e tjera Lindore e për të përballuar rrezikun e kundërshtimeve që mund të
vinin nga murgjërit shiitë. U kthyen në Romë më 10 korrik të viti 520, vit pas të
cilit ipeshkvi shenjt vijoi veprimtarinë e gjithanshme në favor të bashkimit e të
lulëzimit të Kishës.Shën Benedikti tregon se, ndërsa po lutej në Montekasino, pau
në vegim shpirtin e Shën Gjermanit duke u ngjitur në qiell, i mbartur nga Engjëjt.
Patriku shenjt dërgoi menjëherë njerëz të interesoheshin për shëndetin e Shën Gjermanit.
Mori përgjigjen se kishte dhënë shpirt pikërisht në çastin kur ai kishte pasur vegimin:
ishte data 30 tetor e vitit 541.