Meditim mbi kuptimin e vdekjes - në prag të përkujtimit të të vdekurve!
(29.10.2006 RV)Jemi para
një përkujtimi që na nxit të reflektojmë thellë e sidomos, na shtyn t’i bëjmë vetes
pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga vijmë e ku shkojmë? Ç’kuptim ka
jeta e aq më tepër, vdekja? Vdekja sot është bërë fjala më e padëshrueshme,
është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet menduar. Njeriu i sotëm
nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet të krijojë mitin e shëndetit e të
formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme, që e përjashton plakjen e
vdekjen. Ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen njeriut që i afrohet cakut
të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet për këtë shtegtim të mbram,
tepër të vështirë, drejt amshimit. Njeriu i sotëm rrallë herë vdes në shtëpi të
vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiset ndër strukturat shëndetësore,
në vetmi të plotë! Vdekja bëhet gjithnjë më anonime, formë e shpersonalizimit të
njeriut që ka jetuar e ka vdekur. Tepër aktuale lutja-poetike e poetit të famshëm
gjerman, Rilke: Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet, vdekjen që nga jeta lulëzoi; nga
jeta në të cilën çdo njeri, gëzimin e vuajtjen provoi. Por ka edhe më: është
edhe vdekja sipas dëshirës, pasojë e kulturës së vdekjes e cila vijon të përhapet
për shkak të jetës së papërgjegjshme, që i kundërvihet vetë jetës, në të cilën mbretëron
droga, shpejtësia e çmendur, netët me dehje ndër diskoteka… Vjen pastaj vdekja
e dëshpëruar e njeriut që jeton pa shpresë. Vetëm vdekja e krishterë përshkohet
nga vetëdija e kalimit në jetën e pasosur, është plot me shpresën e njeriut që e lëshon
plotësisht e përfundimisht veten në duart e Atit Hyjnor, i sigurtë se do të ringjallet.