2006-10-27 17:02:50

Fetë për paqen: 20 vjet më parë, falë intuitës profetike të Gjon Palit II, u kremtua në Asizi Dita botërore e lutjes për paqen.


(27.10.2006 RV)Fetë në shërbim të paqes: më 27 tetor, njëzet vjet më parë, Gjon Pali II bënte një nga gjestet më domethënëse të papnisë së tij. Papa Vojtila mblidhte në Asizi udhëheqësit e feve të mëdha të botës për t’iu lutur së bashku Zotit që t’i dhuronte njerëzimit pasurinë e madhe të paqes. “Profeci e saktë” e quan Benedikti XVI në mesazhin për njëzetvjetorin e kësaj Dite, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Ishte dëshmi korale për paqen – vijon Papa Racinger – që shërbeu për të sqaruar pa kurrfarë dyshimi se feja nuk mund të jetë tjetër, veçse vazo në të cilën mbin, rritet e lulëzon gonxhja e paqes, pa harruar se paqja ka nevojë për dashuri të pasionuar, që lind nga kthesa e zemrës.
E kjo dashuri lulëzoi në Asizi, në një ditë dimërore, kur frynte erë e ftohtë, si lufta që e ndante botën në dy blloqe kundërshtare. E në sa bota tmerrohej nga rreziku i mundshëm i luftës bërthamore e kërkonte me ankth një profet, e gjeti atë në Papën polak, njeriun që njohu tmerret e Luftës II Botërore dhe dhunën çnjerëzore të regjimeve lirivrasëse. Gjon Pali II bëri thirrje - e në Asizi u mblodhën 12 delegacione, përfaqësues të kristianëve, hebrenjve, myslimanëve, budistëve, sikhve, induistëve e shintoistëve, të cilët i lartuan në kor Zotit lutjen e pasionuar për paqe, aq aktuale edhe për ditët tona!







All the contents on this site are copyrighted ©.