2006-10-27 16:34:12

Benedikti XVI në takimin me ‘Christian World Communions’ theksoi se bashkimi i plotë i të krishterëve arrihet përmes dialogut ekumenik plot besim e respekt.


(27.10.2006 RV)Dialogu dhe fryma e vëllazërisë tregojnë rrugën që mund t’i çojë të krishterët në cakun e bashkimit të gjithë trupit kishtar. Para një plateje, të përbërë nga katolikë, luteranë, anglikanë dhe batistë – pjesëmarrës në Konferencën e “Bashkimeve të botës së krishterë”, Benedikti XVI preku temën e dialogut ekumenik dhe të rëndësisë që ka vijimi i këtij dialogu në atmosferën e ballafaqimit plot respekt të traditave konfesionale.
Bindja më e fortë se pengesat, Shpirti Shenjt - më i fuqishëm se mospajtimet! Benedikti XVI e pranon se rruga e dialogut ekumenik ka nevojë për këto cilësi, për të përparuar drejt synimit të fundit, bashkimit ‘të plotë e të dukshëm’ të të gjithë të krishterëve. Këtë mendim Papa e shprehu sot paradite në Sallën e Papëve në Vatikan, ku priti në audiencë “Bashkimet e botës së krishterë”, organizëm që organizon takime periodike, sidomos të tipit teologjik, me pjesëmarrjen e anglikanëve, luteranëve, batistëve dhe katolikëve. Këta të fundit përfaqësohen nga Këshilli Papnor për bashkimin e të krishterëve.
Dhjetra vite me radhë – vërejti Benedikti XVI – Konferenca e Bashkimeve të botës së krishterë, ka organizuar një forum për takime të frytshme ndërmjet bashkësive të ndryshme kishtare. Këto takime krijuan kushtet për thellimin e besimit reciprok, që është i domosdoshëm në përpjekjen për të përhapur pasurinë e traditave të ndryshme të krishtera dhe për t’i shërbyer thirrjes së përbashkët për apostullim. Megjithatë – pohoi me sinqeritet Papa - mbetet i pazgjidhur problemi themelor:
“Ata që dëshmojnë se Jezu Krishti është Zot, janë tragjikisht të ndarë e nuk mund të japin përherë një dëshmi koherente të përbashkët. Kjo është përgjegjësi tepër e rëndë për ne të gjithë”.
Titulli i konferencës në të cilën po marrin pjesë këto ditë delegatët e “Bashkimeve të botës kristiane”: ‘Vizione të bashkimit të krishterë’, të kujton shumë gjëra. Papa pohoi me kënaqësi se dialogët teologjikë, të zhvilluar deri tani, janë karakterizuar nga vullneti për të kapërcyer çdo gjë që ndan. E kjo është diçka pozitive, por:
“Nuk duhet ta humbasim nga sytë piksynimin përfundimtar: bashkimin e plotë e të dukshëm në Krishtin e në Kishë. Mund ta humbasim guximin kur progresi është i ngadalshëm – pohoi Papa – por, po të mendonim për t’u kthyer mbrapa, do të vihej në lojë diçka tepër e madhe”.
Përkundrazi – përfundoi Ati i Shenjtë – kemi shumë arsye t’i shpejtojmë hapat, duke pasur parasysh atë që ka shkruar Gjon Pali II në Enciklikën ‘Ut Unum Sint’: “Bashkimi i Kishës kalon nëpër rrugën e rizbulimit të vëllazërisë e të solidaritetit më të madh në shërbim të njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.