2006-10-26 16:49:02

‘Në shërbim të paqes ndërmjet armëve’: është përkufizimi i Benediktit XVI në audiencën me pjesëmarrësit në Takimin ndërkombëtar të kapelanëve ushtarakë.


(26.10.2006 RV)Si mund të realizohet shërbimi ndaj paqes ndërmjet armëve: për këtë foli Benedikti XVI duke pritur sot paradite në audiencë pjesëmarrësit në Takimin ndërkombëtar të kapelanëve ushtarakë, shoqëruar nga kardinali Gjovani Batista Re, prefekt i Kongregatës së ipeshkvijve, i cili kryeson punimet, që vijojnë deri nesër në Vatikan.
Vlera e njeriut dhe vlera e paqes – kujtoi Papa – janë shtyllat e asistencës shpirtërore të ushtarakëve, ashtu siç nënvizoi 20 vjet më parë Gjon Pali II në Kushtetutën Apostolike Spirituali militum curae, në dritën e Koncilit II të Vatikanit e duke pasur parasysh ndryshimet që kanë të bëjnë me Forcat e armatosura dhe me misionin e tyre në planin kombëtar e ndërkombëtar. Por kohët e reja krijojnë sfida të reja – theksoi Papa dhe, duke rikujtuar Kushtetutën konciliare Gaudium et spes, theksoi se ata që kryejnë shërbim ushtarak, mund të konsiderohen si njerëz që i shërbejnë sigurisë dhe lirisë së popujve, sepse po ta kryejnë si duhet detyrën e tyre, bashkëpunojnë në mbrojtjen e stabilitetit e të paqes. Prej këndej, porosia e Papës, që kapelanët ushtarakë të jenë specialistë e mësues të vërtetë të doktrinës që mëson e praktikon Kisha në përpjekjen për sigurimin e paqes në botë.
Tema e paqes – shpjegoi Ati i Shenjtë – përbën një aspekt themelor të doktrines shoqërore të Kishës, me rrënjë tepër të lashta, që vijuan të fuqizohen në shekullin e fundit me thirrjet e vazhdueshme për paqen. Këto thirrje kanë ndikuar në kulturën perëndimore, duke promovuar idealin që Forcat e armatosura të vihen plotësisht në shërbim të sigurisë dhe të lirisë së popujve. Por nuk ndodh gjithnjë kështu:
“Për fat të keq, interesa të tjera – ekonomike e politike – të nxitura nga tensionet ndërkombëtare, bëjnë që kjo prirje ndërtimtare të ndodhet përballë pengesave e vonesave, gjë që shihet qartë edhe në vështirësitë që ndeshen në procesin e çarmatimit”.
Kisha – tha në përfundim Papa – do të vijojë, brënda botës ushtarake, të ofrojë shërbimin e vet për të formuar ndërgjegjet, e sigurtë se Fjala e Zotit, e vënë me dashuri të krishterë në shërbim të së vërtetës, nuk do të mungojë të japë frytin e vet në kohën e duhur.







All the contents on this site are copyrighted ©.