2006-10-25 16:25:04

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme flet për Shën Palin Apostull, kampion feje e përkushtimi apostolik.


(25.10.2006 RV)RealAudioMP3 “Figura e Jezusit është në qëndër të jetës së krishterë: një akt feje e një rregull jete që shkëlqen prej dymijë vjetësh në jetën e njërit nga kumtuesit më të mëdhenj të Ungjillit: Palit nga Tarsi, Apostullit të Popujve, të cilin
Papa ua paraqiti sot si shembull 30 mijë besimtarëve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, pasi përfundoi katekizmin kushtuar 12 Apostujve që e shoqëruan Jezusin gjatë misionit të tij tokësor. Në përfundim të audiencës, Ati i Shenjtë përshëndeti familjarët e Aleksandra Lizit, vajzës së re që vdiq gjatë aksidentit në metropolitanën e Romës më 18 tetorin e kaluar.
Shën Pali njihet si Apostull për vullnet të Hyjit, nga i cili mësoi ta donte e t’i shërbente atij Krishti, që më vonë e njofti si Birin e Perendisë. E pastaj njihet edhe si Apostulli me zemrën e gjërë, që zë gjithë botën, që nuk bën dallime etnie, sepse zbulon se Hyji që e ka zgjedhur, është Hyji i të gjithëve. Në historinë e Kishës e jo vetëm të Kishës së zanafillës, Pali shndrit si ylli më i madh. Kështu u shpreh Benedikti XVI, i cili duke ia kushtuar katekizmin e sotëm Saulit, apostullit të trembëdhjetë, njoftoi se do të fillojë një cikël të ri katekizmi, kushtuar burrave dhe grave që e shkrinë gjithë jetën e tyre për Ungjillin e për Zotin, për të cilët do të flasë në audiencat e ardhshme.
Ati i Shenjtë tregoi shkurtimisht jetën e Saulit, lindur ndërmjet Anatolisë e Sirisë. Hebrè praktikant i diasporës, në Jeruzalem për të studiuar ligjin mozaik, ai dëgjoi se një grup ndjekësish të Nazarenit vinin në qendër të jetës së tyre një njeri të kryqëzuar, në vend që të vinin ligjin e Moisiut. Për Saulin një sjellje e tillë ishte e papranueshme e shkandulluese. Prandaj nisi të mendonte se e kishte për detyrë t’i përndiqte të krishterët edhe përjashta Jeruzalemit. Por kur ishte për udhë drejt Damaskut, u rrëmbye nga Krishti; drita e të ngjallurit – vijoi Papa – e preku e ia shndërroi krejt jetën. Ai vetë pohon, duke përdorur katër folje për ta përshkruar këtë çast të jashtzakonshëm, se nuk kishte pasur thjeshtë një vegim, por ishte ndriçuar, kishte njohur një zbulim e kishte dëgjuar një thirrje. Kthimi tij ishte fryt i një ndërhyrjeje hyjnore, i një hiri të papritur hyjnor. Kështu, i verbuar nga drita e Krishtit, u bë Apostull –tha Ati i Shenjtë dhe më pas citoi Shën Gjon Krizostomin, sipas të cilit Shën Pali ishte “më i lartë se Engjëjt e Kryeengjëjt” dhe Dante Aligerin, që në Komedinë Hyjnore shkruan se Apostulli ishte “enë e zgjedhur”, që do të thotë mjet i zgjedhur nga vetë Hyji. Të tjerë – vijoi Ati i Shenjtë – e kanë quajtur Apostulli i trembëdhejtë ose i pari pas të Vetmit, dmth pas Krishtit.
Papa kujtoi edhe se Pali, ndërsa studionte ligjin e Moisiut, mësoi të punonte çadra e kështu i siguroi vetë mjetet për jetesë, pa iu bërë kurrë barrë Kishës. Kështu Pali….
“E quan veten shprehimisht ‘apostull për vullnet të Zotit’, si të donte të nënvizonte se kthimi i tij nuk ishte rezultat i vijimit të mendimeve a të reflektimeve, por fryt i një akti hyjnor, i një hiri të paparashikuar hyjnor. Aty e tutje gjithçka që për të më parë përbënte vlerë, u bë paradoksalisht – sipas vetë fjalëve të tij – humbje e fundërri e që në atë çast u vu me të gjitha energjitë në shërbim të Jezu Krishtit e të Ungjillit të Tij”.
Prej këndej – vijoi Benedikti XVI – marrim një mësim të çmuar:
“Ajo që ka rëndësi është të vemë në qendër të jetës sonë Jezu Krishtin, në mënyrë që e gjithë jeta jonë të shndërrohet krejtësisht nga takimi, nga bashkimi me Krishtin e me fjalën e tij. Në dritën e Krishtit çdo vlerë tjetër fitohet e pastrohet nga zgjyra e mundshme” .
Një karakteristikë tjetër e Shën Palit – vërejti Papa - është frymëmarja universale e apostullimit të tij, që na kujton se shëlbimi u përket të gjithë njerëzve pa asnjë përjashtim, se është kumtim hiri, që pajton njeriun me Zotin e me të afërmin, sepse Hyji është Zot i të gjithëve.
Duke kujtuar vuajtjet e Palit gjatë veprimtarisë për përhapjen e Ungjillit në të katër anët e botës që njihej deri asokohe, Papa Racinger theksoi:
“Është e qartë se ai nuk do të kishte mundur të përballonte situata tepër të vështira, nganjëherë të dëshpëruara, në se nuk do të kishte pasur një arsye me vlerë absolute, përballë së cilës s’kishte kufi që nuk mund të kapërcehej. E kjo arsye për Palin ishte Jezu Krishti, për të cilin shkruan: ‘Dashuria e Krishtit na nxit’. Zoti na ndihmoftë ta vemë në jetë porosinë që na la Apostulli ndër letrat e tij, ku thotë: ‘Përpiquni të më përngjani mua, ashtu si unë bëj çmos t’i përngjaj Krishtit”.Pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, në çastin e përshëndetjeve, Benedikti XVI kujtoi dëshminë ungjillore të Shën Antonit Maria Klaret, kremtuar dje nga Kisha katolike, e më pas takoi e ngushëlloi, duke u ndaluar disa minuta me të, zonjën Angjela Maria, nënën e Aleksandrës Lizi, vajzës që vdiq në aksidentin e metropolitanës së Romës një javë më parë. Gruaja shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Romës, Valter Veltroni.







All the contents on this site are copyrighted ©.