Filluan përgatitjet për Sinodin e 2008-tës mbi Fjalën e Zotit.
(24.10.2006 RV) Sekretaria e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve kremtoi
takimin e katërt të Këshillit XI të zakonshëm, në qendër të të cilit ishte tema e
Fjalës së Zotit, objekt i Asamblesë së ardhshme të përgjithshme, thirrur nga Benedikti
XVI për vitin 2008. Rizbulimi i Shkrimit Shenjt në teologji, në përshpirtëri,
në lectio divina, në leximin privat, në inkulturim, në ekumenizëm; ritheksimi i rëndësisë
themelore të Fjalës së Zotit e, prej këndej, risimi i jetës së Kishës, posaçërisht
në predikim, katekizëm, teologji, përshpirtëri e në rrugën ekumenike – theksohet sot
në një notë të Sallës së Shtypit të Vatikanit - ishin argumentet rreth të cilave
diskutuan pjesëmarrësit në takimin e Këshillit XI të zakonshëm të Sekretarisë së përgjithshme
të Sinodit të Ipeshkvijve, që u mbajt më 10 e 11 tetor në Vatikan. Detyra institucionale
e Këshillit është të hartojë “Lineamentën”, si dokument reflektimi e këshillimi për
Kishën universale, në perspektivë të Asamblesë XII të Përgjithshme të zakonshme të
Sinodit të Ipeshkvijve, shpallur nga Benedikti XVI, që do të mblidhet nga 5 deri
më 26 tetor 2008 me temë “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës”. Pasi
kujtuan Kushtetutën “Dei Verbum” – “Fjala e Zotit”, ipeshkvijtë nënvizuan rëndësinë
që ka për të gjithë besimtarët “Katekizmi i Kishës Katolike”. Dy grupe studimi hartuan
dy projekt-skema të “Lineamentës”. Në takimin e ardhshëm, që do të mblidhet më 24
e 25 janar 2007, Këshilli i zakonshëm do të shqyrtojë dhe do të miratojë tekstin përfundimtar.