2006-10-23 17:05:13

Shqipëria e pranishme në Afganistan e Liban. Në Hungari ndeshje me policinë në 50-vjetorin e revoltës antikomuniste e lajme të tjera.


(23.10.06 RV) Pas lajmit se Shqipëria do të dërgojë më tepër ushtarë në Afganistan, sot kryeministri Sali Berisha konfirmoi se prania ushtarake e vendit do të ndihet edhe në Liban. Gjatë seminarit rajonal të vendeve të Kartës së Adriatikut në Tiranë, Berisha sqaoroi se këto impenjime bëjnë pjesë në reformat, që po kryen vendi për t’u anëtarësuar në NATO.

Mijëra manifestues marrshuan sot paradite në Budapest për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ferenc Gjurçani. Qeveria dhe të ftuar të tjerë të huaj ishin të impenjuar në kremtimet e 50-vjetorit të revoltës anti-sovjetike të vitit 1956. Policia shpërndau protestuesit që ndodheshin në sheshin e Parlamentit që prej një muaji, por ata u mblodhën sërish nëpër rrugë të tjera të kryeqytetit hungarez. Ndeshje të ashpra, gaz lotsjellës, plumba plastike: këto karakterizuan manifestimet e sotme. Partia kryesore e opozitës, Fidesh organizoi sot pasdite kremtime të tjera, duke kritikuar kryeministrin aktual për faktin se ai ka qenë lider i rinisë komuniste dhe nuk mund të kryesojë ceremonitë e një përvjetori antikomunist. Nëse në ceremonitë zyrtare, edhe të huajt vunë re se populli mungonte, në kremtimet e opozitës erdhën rreth 100 mijë vetë nga e gjithë Hungaria.

Intensifikimi i mëtejshëm i luftës kundër forcave të huaja në Afganistan: është kërcënimi i fundit i Mullah Omarit, kreut shpirtëror të talebanëve, në një mesazh të publikuar në internet. Ndërkaq, rrëmbyesit e fotoreporterit italian në Afganistan kanë lajmëruar se ai është mirë me shëndet, por kanë kërkuar sërish që t’u dorëzohet afgani i kthyer në krishterim, që ndodhet refugjat në Itali. Nëse qeveria italiane nuk e plotëson këtë kusht, duhet të tërheqë trupat nga vendi, ose fotoreporteri do të vdesë.

Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad i bëri thirrje sot vendit të qëndrojë i bashkuar e të tregohet i fortë përsa i përket çështjes bërthamore. Pasurimi i uraniumit, proces i filluar tashmë nga Republika Islamike, është një e drejtë ndërkombëtare, sipas presidentit, por është edhe një kërcënim për paqen në botë, sipas bashkësisë ndërkombëtare.

Muaji i tetorit është deri tani më i përgjakshmi për trupat amerikane që ndodhen në Irak. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit numri i ushtarëve amerikanë të vrarë ka arritur në 5, ndërsa për gjithë muajin në 85. Ndërkaq, vazhdon në vend hakmarrja ndërmjet vetë shtresave të ndryshme të popullsisë. Vëllai i një komandanti lokal u gjet sot i vrarë në Amarah. Trupi pa jetë kishte shenja torture. Gjatë ndeshjeve ndërmjet milicëve të predikatorit radikal shiit Moktada al Sadr dhe milicëve Badr të partisë kryesore shiite, Këshillit suprem të revolucionit islamik, kanë mbetur të vrarë 15 vetë, vetëm gjatë fundjavës që sapo kaloi.

Bullgaria në ballotazh për zgjedhjen e presidentit. Kreu aktual i shtetit Georgi Parvanov fitoi, por nuk u arrit pjesëmarrja e mjaftueshme prej 50% e votuesve, që do ta shpallte atë edhe një herë president të Republikës. Ish-lideri i Partisë Socialiste, i cili tani është paraqitur si kandidat i pavarur, mori 65% të votave, shumë më tepër se 21%-shi i kundërshtarit ultranacionalist Volen Siderof. Ballotazhi do të bëhet më 29 tetor. Kujtojmë se në janarin e vitit të ardhshëm Bullgaria do të hyjë në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.