2006-10-23 16:46:41

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot për Ditën e 80-të misionare botërore theksoi se Ungjilli duhet kumtuar me guxim e gëzim, u uroi paqe myslimanëve në përfundim të Ramazanit dhe bëri thirrje për krizën e rëndë në Irak.


(23.10.2006 RV)Iraku ka nevojë për ndihmë nga mbarë bota, që t’i japë fund dramës së përgjakshme që luhet çdo ditë në skenën e tij. Benedikti XVI foli për krizën e vendit të Lindjes së Mesme në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot kushtuar Ditës misionare botërore me temë “Dashuria e krishterë, shpirt i misionit”, që dje u kremtua për të 80-tën herë. Papa pohoi se misioni niset nga zemra e se detyra e të krishterit është t’ia kumtojë çdo njeriu “lajmin e mirë se Zoti është dashuri”.
Zemra e Papës është plot ankth për situatën e rëndë në Irak. Në ditën kur Kisha kujtoi misionarët e impenjuar në frontin e vështirë të kumtimit të Ungjillit, Benedikti XVI e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot me një thirrje të fuqishme. 30 mijë shtegtarët e besimtarët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit poshtë dritares së Papës, dëgjuan me admirim e vëmendje më parë urimin drejtuar myslimanëve, që dje përfunduan Ramazanin e më pas denoncimin e asaj që Ati i Shenjtë e quajti ‘dhunë e egër’ në Irak, e cila po ia shkatërron jetën shumë njerëzve të pafajshëm, vetëm pse janë shiitë, sunitë ose të krishterë.
“E marr me mend shqetësimin që kalon bashkësia e krishterë dhe dëshiroj ta siguroj se ndjehem shumë pranë saj, ashtu si edhe pranë viktimave të panumërta e i lutem Zotit t’u japë forcë e ngushëllim. Ju ftoj edhe të bashkoni zërat në lutjen time drejtuar të Gjithëpushtetshmit t’u japë fenë dhe guximin e nevojshëm udhëheqësve fetarë e politikë, të vendit e të mbarë botës, që ta ndihmojnë këtë popull të ecë në rrugën e rindërtimit të atdheut, të drejtpeshimit të forcave, të respektit reciprok e të fitimit të vetëdijës se larmia e popullatës përbën pasurinë kryesore të vendit”.
Dita misionare botërore, e themeluar 80-vjet më parë nga Piu XI, që i dha një shtytje të jashtzakonshme misionit në gjirin e popujve – vërejti Benedikti XVI para Lutjes mariane - na bën të reflektojmë mbi detyrën që ka çdo i pagëzuar për ta kumtuar Ungjillin me gëzim e guxim, sepse ky është edhe kuptimi i krishterë i kumtimit:
“Në të vërtetë, misioni, në se nuk frymëzohet nga dashuria, kufizohet në veprimtari filantropike e shoqërore. Ndërsa për të krishterët vlejnë fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria e Krishtit na shtyn”. Çdo i pagëzuar, ashtu si shërmendi i lidhur me hardhinë, mund të bashkëpunojë në misionin e Krishtit, i cili përmblidhet kështu: “T’i çojë çdo njeriu lajmin e mirë se ‘Zoti është dashuri’ e se pikërisht për këtë dëshiron ta shpëtojë botën”.
Misioni – vijoi Benedikti XVI – ‘niset nga zemra’. Pikërisht 800 vjet më parë, pranimi i këtij misioni u bë shmbull i paharrueshëm në figurën e djaloshare të Françeskut të Asizit. Në kishëzën gjysëm të shembur të Shën Damianit – kujtoi Papa – shenjti i ardhshëm dëgjoi zërin e të Kryqëzuarit, që e nxiste t’ia rindërtonte shtëpinë e rrenuar. Shtëpia që duhej rindërtuar – shpjegoi Ati i Shenjtë – ishte, para së gjithash, vetë jeta e Shën Françeskut e pastaj edhe jeta e Kishës. E kjo sepse – shtoi Benedikti XVI - misioni ‘nis pëherë prej një zemre të shndërruar nga dashuria e Zotit’ dhe është i realizueshëm në çdo vend e në çdo kohë. Misioni, pra, është një kantier, në të cilin ka vend për të gjithë: për atë që impenjohet ta realizojë në familjen e vet Mbretërinë e Zotit; për atë që e jeton me shpirt të krishterë veprimtarinë profesionale; për atë që i kushtohet plotësisht Zotit; për atë që ndjek, Bariun e Mirë, Jezusin, i cili i prin popullit të Hyjit; e posaçërisht për atë, që niset për t’ua kumtuar Krishtin njerëzve që nuk e njohin ende”.
Gjatë përshëndetjeve në gjashtë gjuhë të ndryshme, në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI iu drejtua veçanërisht besimtarëve peruvianë të bashkëvëllazërisë të Zotit të mrekullive, shtegtarë në Shën Pjetër dhe anëtarëve të Fondacionit “Gjon Pali II” , që po kremtojnë në Romë 25-vjetorin e themelimit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.