2006-10-23 16:47:50

Atë Gjergj Fishta sot mbushi 135 vjet!


(23.10.2006 RV) Kronikë e shkurtër e jetës së një njeriu të pavdekshëm në kujtesën e Kombit.
Lindja:
Dita e 23 tetorit të vitit 1871 ishte një ditë e zakonshme në historinë e Shqipërisë së pushtuar nga turku. Asnjë kronikë e kohës nuk shënoi se në një shtëpi të thjeshtë, në Fishtë të Zadrimës, Ndoka i Simon Ndocit ‘ishte shtue me djalë.
Kishte lé Zekë Ndoci!’.
Duke e ndërruar këtë emër me emrin e pavdekshëm Gjergj, në kujtim të Heroit Kombëtar e katundarin e vogël fishtjan, në Poet Kombëtar, ai do ta kujtonte kështu daljen e vet në dritë: “Unë jam Gjergj Fishta, djali i vogël i Ndokës, të cilin nana e ka ba me të mendueme!” – thua se s’kishte dalë prej barkut të Prendës së Lazër Kaçit por, si çmos kush, prej trunit të saj.
Vdekja e varrimi i parë:
Dita 30 dhjetor e vitit 1940 regjistrohet në të gjitha kronikat historike të Shqipërisë, në prag të një robërie të re. Poeti Kombëtar kishte ndërruar jetë!
Të nesërmën vonë, një grup zhgunamurrtësh hapte me zemër të këputur, varrin e Poetit. Për t’ia plotësuar dëshirën e mbrame “Një kryq druni, t’kjosha true/ Nxire e venma përmbi krye!”- i vunë te kryet një kryq dullije.
Thonë se, kohët e fundit, kur e pyetën njërin prej kundërshtarëve të tij se çka i kishte lakmi Atë Fishtës, u përgjigj me një fjalë të vetme: “Funeralin!”. Dhe kishte të drejtë: nuk qanë për dokedo një Komb i tanë!
Po me që ai nuk kishte vdekur, sepse ‘Kangatari i Lahutës’ nuk mund të vdesë kurrë, historia e jetës së tij nuk u mbyll nën rrasën e akullt, që sivëllazënt me kapuçat françeskanë ulur fort mbi sy, për të fshehur lotët-rrëkajë, vunë mbi reliket e tij.
Zhvarrimi vandal:
Ende nuk ishin terë lotët, kur në kishë hynë furishëm ata që e quanin veten çlirimtarë. Thua kishin ardhur të çlironin të vdekurin nga varri? Thua prandaj i hoqën me aq turr kurorat me lule, flakën kryqin e thjeshtë prej dullije e gërricën shkrojlat, duke e lënë rrasën e ftohtë, të bardhë, prej mermeri, pa emrin e tij? Apo kishin ardhur ta çonin nga varri për ta martirizuar, ashtu si bashkëvëllezërit? Me bindjen se nuk do ta ngrinte kurrë më rrasën.
Fillë mbas varrit do t’i vinte radha kishës: më 6 shkurt edhe asaj kujtuan se i erdhi fundi. E tek e kthenin tempullin e Hyjnisë në teatër sukujsh, papritur u kujtuan se Atë Gjergji s’kishte vdekur. Ai ishte gjithnjë aty!
Atëherë u dynden rishtas te Varri pa emër. E hapën me mllef. I nxorën ngutshëm eshtrat dhe i flakën në Dri.
Besuan se tashmë kishte marrë fund, se s’do t’i ndigjohej më zëri.
Por Kangatari i “Mrizit të Zanave”, i mbetur pa varr, si Skënderbeu, vijoi të jetonte strukur në kujtesën e në legjendën e Kombit, bashkë me heronjtë e epoesë së tij. Duke pritur ta çonte prap rrasën….
Atë Gjergj Fishta është gjallë. Sot mbushi 135 vjet. Do të mbushë të panjehuna, i rikthyer në gji të popullit të vet, i cili ia ndjeu aq shumë mungesën: përsëritje e fatit të gjenive të cilët, duke kaluar nëpër rrethana të kobshme, nëpër mohim, vandalizëm e urrejtje, rikthehen pambarimisht për t’u prirë popujve të tyre në rrugën e lirisë së vërtetë.
135 vjeç, ai shkepet sot nga varri ‘për me nisun hovin kah punët e mëdha!’. E ‘punë të mëdha për të don me thanë me ndërtue një Shqipni që të mos jetë strehë e shqiptarëve veç për emën, po një atdhe i vërtetë, një çerdhe e ngrohtë për të gjithë bijtë e shqipes’.
135 vjeç, Patriarku i Madh u mëson përsëri shqiptarëve të mos u besojnë atyre që duan t’i përdorin rishtas ndjesitë më të shenjta njerëzore për dobi vetjake e partijake, lëshon luzmën e anzave përmbi çdo shqiptar ‘të dalun hullije’, ven në bisht të lahutës lindje e përendim, kur bindet se qëndrimi i tyne bahet pengesë për naltimin e Hyllit të Kombit në hapsinën e kupës qiellore!







All the contents on this site are copyrighted ©.