Sot Kisha kremtoi Ditën Misionare Botërore: intervistë me Atë Bosetin, misionar në
një lagje peruviane barakash.
(22.10.2006 RV)Muaji tetor ka dy privilegje: është muaji i Rruzares dhe muaji
misionar. Dhe është bërë traditë tashmë që në të dielën e tretë e këtij muaji të kremtohet
Dita Misionare Botërore, sivjet kushtuar “Dashurisë së krishterë, si shpirti i misionit”.
Në mesazhin e kësaj Dite, Benedikti XVI i kujton të gjithë besimtarëve mandatin e
Krishtit. “Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj juve” – u tha Jezusi
i ngjallur nxënësve në Çenakull. Prej këndej mund të pohojmë se Kisha, për vetë natyrën
e saj, është misionare e se shpirti i misionit është dashuria – porosit Papa – duke
e nxitur çdo të krishterë të jetë misionar i dashurisë atje ku e ka caktuar Provania
hyjnore, sepse “Misioni i Kishës, vijim i atij të Krishtit, është: t’u çojë të gjithëve
dashurinë e Hyjit, duke e kumtuar me fjalë e me dëshmi konkrete bamirësie”. Prej këndej,
besimtarët ftohen të luten për misionet dhe të japin kontributin e tyre në ndihmë
të misionarëve dhe të misioneve ndër vendet ku ka ende shumë nevojë. Kujtojmë se Shqipëria
vijon të jetë vend misioni e të ndihmohet fuqimisht nga besimtarët katolikë të vendeve
më fatlume. Ftuam sot të na flasë për këtë ditë, Atë Anton Bosetin, misionar
i Bashkësisë së Vilaregjës, që jeton në Limë të Perusë, në lagjen e barakave. Pyetje:
- Atë Anton, ç’ju shtyu t’i kushtoheni misionit? Përgjigje: - Fjala
e Testamentit të Jezusit: “Që të gjithë të jenë një e bota të besojë!” . Ky është
edhe shpirti i impenjimit tonë misionar. Pyetje: - Cila është veprimtaria
juaj konkrete misionare? Përgjigje: - Normalisht e zhvillojmë veprimtarinë
tonë në rrethinat e qyteteve të mëdha, ku jeton pjesa më e varfër e popullsisë. Këtu,
përveç punës ungjillëzuese, që është veprimtaria jonë kryesore, përpiqemi të krijojmë
strukturat e nevojshme për përmirësimin e jetës së njerëzve, të cilët jetojnë në kushte
çnjerëzore. E kam fjalën për ngritjen e qëndrave mjekësore, kulturore, të përgatitjes
profesionale, të edukimit të fëmijëve e të strukturave të tjera. Bëjmë gjithçka është
e mundur, duke u përpjekur me të gjitha forcat për ta dashur çdo njeri e të gjithë
njerëzit, të cilët kanë nevoja të panumërta. Por kryesorja është etja e tyre për të
njohur Zotin e gjallë, që është i pranishëm mes tyre. Kanë etje për të vërtetën, për
vlerat shpirtërore, për kuptimin e jetës, për të drejtat themelore të njeriut – këta
njerëz që nuk kanë shtëpi, as ushqim, as arsim, as punë e as ndihmë shëndetësore.
Atëherë ne përpiqeimi, me sa kemi mundësi, t’i mësojmë si ta fitojnë gjithçka u mungon,
duke u kujdesur në radhë të parë për përgatitjen kulturore e profesionale të të rinjve,
që të mund të gjejnë më pas punë e t’i krijojnë me duart e tyre kushtet e nevojshme
për një jetë vërtetë njerëzore, atje ku shtrihet radha pa fund e barakave pa dritë,
pa ujë, pa kushtet më fillestare higjienike. Atje përpiqemi të çojmë në radhë të parë
dritën e Zotit.