“Të krishterët e myslimanët në dialog besimplotë për të përballuar së bashku sfidat
e kohës sonë” - mesazh i Vatikanit për përfundimin e Ramazanit: intervistë me kardinalin
Pupard.
(20.10.2006 RV)Sot, në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjë u mbajt, për herë
të parë, një konferencë shtypi për paraqitjen e mesazhit me temë: “Të krishterët e
myslimanët në dialog besimplotë për të përballuar së bashku sfidat e botës sonë”,
me rastin e përfundimit të Ramazanit, muajit të agjërimit e të pastrimit shpirtëror
për besimtarët myslimanë. Në takimin me gazetarët ishin të pranishëm edhe sekretari
i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kryeipeshkvi Pier Luigji Çelata, kryetari
i Zyrës për marrëdhëniet me Islamin, imzot Khaled Akashed dhe imzot Feliks Entoni
Makado, zevendës-sekretar i dikasterit, i cili foli për botimin e vëllimit të ri që
përmbledh “Dialogun ndërfetar në Mësimin zyrtar të Kishës katolike nga Koncili II
i Vatikanit - tek Gjon Pali II, nga viti 1963 - në vitin 2005”. Në mesazhin e
urimit drejtuar myslimanëve në përfundim të Ramazanit, kardinali Pol Pupard, kryetar
i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe i Këshillit Papnor të kulturës, vë theksin
mbi problemet e rënda e të ndërlikuara të epokës sonë, që venë në lojë besueshmërinë
e vetë feve. Duke shpjeguar se në rrethanat e sotme, shpesh herë të ngarkuara me kundërshtime,
siç u vërejt kohët e fundit, dialogu bëhet më i nevojshëm se kurrë, kardinali u uroi
të gjithë besimtarëve myslimanë, kudo në botë, paqe, qetësi e gëzim, ndër zemra, ndër
shtëpi e ndër vendet ku jetojnë. Bashkojmë edhe ne zërin me atë të kardinalit Pupard,
për t’u uruar festën vëllezërve tanë shqiptarë myslimanë, kudo që jetojnë e punojnë.
Por të kthehemi tek mesazhi i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kryetari
i të cilit, kardinali Pupard, në mikrofonin e radios sonë, thekson: Përgjigje:
- Ky mesazh është akt nderimi nga ana e Selisë së Shenjtë, nga ana e Kishës,
që përsëritet çdo vit në përfundim të Ramazanit, dmth të muajit të agjërimit. Mesazhi,
si zakonisht, frymëzohet nga Deklarata konciliare ‘Nostra Aetate’ dhe ripohon në çastin
aktual po atë nderim e atë vullnet për të vijuar dialogun dhe për t’i përballuar së
bashku sfidat e botës sonë. Kujtojmë edhe se ky është mesazhi i 40-të i urimit drejtuar
myslimanëve në përfundim të Ramazanit. Pyetje: - Në një letër të hapur drejtuar
Benediktit XVI, 38 prijës shpirtëror dhe teologë islamikë i kanë mirëpritur shpjegimet
e Papës për leksionin e Regensburgut: mund të themi, pra, se dialogu rifillon…. Përgjigje:
- Jo “rifillon’, sepse dialogu nuk ka reshtur kurrë. Mund të themi se zhurma mediatike
vë gjithnjë theksin mbi zërat që nuk përkojnë, në vend që të theksojë sintoninë e
simfoninë e zërave. Në të vërtetë simfonia nuk mungon e unë marr çdo ditë mesazhe
nga vende të ndryshme të botës, që përkojnë në kërkesën për vijimin e dialogut, duke
e përqëndruar pikërisht në pikën thelbësore të fjalimit të Papës në Regensburg, dmth,
në lidhjen e fesë me arsyen!