Duke shfletuar kalendarin e 20 tetorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Irenën e Portugalisë.
(20.10.2006 RV)Në kalendarin e
Kishës katolike shënohen disa shenjtore me emrin Irenë, emër që tingëllon bukur e
ka edhe kuptim të bukur. Vjen nga greqishtja e do të thotë ‘paqe’. Shën Irena, që
kremton sot Kisha katolike, është një nga më të njohurat, falë sidomos një gojëdhëne
shumë prekëse e shumë popullore në vende të ndryshme të botës, ndonëse tingëllon si
e pabesueshme. Gojëdhëna tregon se Irena, e lindur në Portugali aty nga gjysma
e shekullit VI, qe rregulltare në një kuvend virgjërash kushtuar Zotit. Ndonëse e
thjeshtë e kokulur, ajo spikaste ndërmjet simotrave për bukurinë e rrallë të fytyrës
e të trupit. Duke e soditur në Kishë, një i ri fisnik i vendit u dashurua çmendurisht
me vajzën dhe bëri çmos të martohej me të. Irena i la të kuptojë se kjo ishte e pamundur,
e jo pse e përbuzte, as pse nuk i pëlqente, por sepse kishe bërë një betim shumë më
të lartë, të cilit duhet t’i qëndronte besnike. Si mori këtë përgjigje, djaloshi,
sinqerisht i dashuruar, u dëshpërua aq, sa u sëmur rëndë. E prekur thellë nga ndjenja
e dashurisë së krishterë, Irena shkoi ta vizitojë e i foli fjalë aq të frymëzuara,
sa t’ia lehtësonte sëmundjen. E ai më pas u shërua plotësisht. Por historia nuk
mbaron me kaq. Një meshtar, rrëfyes i padenjë, i turbulluar nga bukuria e murgeshës
së re, deshi ta bënte për vete pendestaren e tij. Si nuk ia doli mbanesh, sendërgjoi
një hakmarrje të tmerrshme. I dha vajzës një pije misterioze. Pak ditë më pas, të
gjithë nisën të shohin në trupin e saj të bukur, shenjat e shtatzanisë. Shkandulli
mori dhenë. I ra në vesh edhe djaloshit që i kishte kërkuar dorën e ai u zemërua aq,
sa dërgoi një vrasës për t’ia marrë jetën, të cilën, sipas tij, nuk e meritonte, si
gënjeshtare e pacipë që ishte. Vrasësi ia preu Irenës kokën, ndërsa trupin ia flaku
në ujërat e një lumi. Rryma e mbarti trupin e Irenës deri në Tago, pastaj e bëri të
ndalohej pranë qytetit Skalabis, ku jetonte xhaxhai i shenjtores, abat. I lajmuar
në vegim për ngjarjen, Abati shkoi me procesion për të mbartur trupin e së vrarës.
Nuk qe aspak e vështirë të vërtetohej pafajsia e rregulltares së bukur, fajtore
pa faj, martire e pastërtisë shpirtërore e fizike. Fundi i saj preku thellë gjithë
qytetin, aq sa banorët vendosën t’ia ndërrojnë emrin, duke e quajtur Santarem, dmth
Shën Irenë. E thamë më sipër se kjo mbetet gojëdhënë pak e besueshme, gjithsesi populli
e ruajti nga breznia në brezni për t’i thurë lavde virtytit të pastërtisë e të besnikërisë
deri në vdekje ndaj premtimit të bërë para Zotit në elter, që vlen më shumë se jeta