2006-10-19 17:37:44

Përvjetori i tretë i lumnimit të Nënës sonë Terezë.


(19.10.2006 RV)RealAudioMP3 19 tetor 2003 – 19 tetor 2006: kaluan tri vjet nga dita e lumnimit të Nënë Terezës, Bijës më të madhe të popullit shqiptar, që na la trashigim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".
Nuk na çuditë, prandaj, fakti se, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit pa u mbushur ende dy vjet pas vdekjes së Rregulltares shqiptare. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj, ndërsa më 19 tetor 2003, tri vjet më pare, nga Sheshi i Shën Pjetrit përplot me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, shqiptoi formulën që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës në nderimet e eletrit:
FORMULA E LUMNIMIT shqiptuar nga Papa Gjon Pali II:
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas regullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.
Sot, pra, nuk është festa liturgjike e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli, ndërsa vijon të na kujtojë se:

Kisha është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë.
Ta dhurojmë vetveten me Krishtin e për Krishtin. Lëreni Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai na fton që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai, deri në dhembje.
Nuk na lejohet të themi “E dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të?
Përpiquni ta çoni Zotin në familje, sepse familjet që luten së bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim në shtëpitë tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zotit.
 
Në festën e saj, Nënë Tereza na kujton atë që dëshirojmë më tepër për vete e për trojet shqiptare – siç shprehet në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Zef Gashi:
Dom Anton Kçira, nga diaspora shqiptare e Amerikës na kujton:
Shfletojmë kujtesën tonë historike e dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve të cilët, nga Sheshi i Shën Pjetrit, shprehin emocionin e thellë të atij çasti kur, si rallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë emrin e kombit shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet atë që Papa Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumnimit
si figurë simbolike të misionit të Kishës, duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Gjon Pali II. Por t’i dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve, në mikrofonin tonë.
Në përfundim të këtij përkujtimi, bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumnimit të saj:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.