2006-10-19 19:33:18

Kujtojmë Atë Gjon Faustin S.J. në përvjetorin e 107-të ditëlindjes.


(19.10.2006 RVRealAudioMP3 Atë Gjon Fausti, bir i Antonio Faustit e i Maria Sigolinit, lindi në Broco, në Provincën e Breshias më 19 tetor 1899. Broco është një qendër e vogël që sot numron 550 banorë. Ndërtesa më e bukur ishte Kisha e shën Mëhillit Kryeengjëll, ndërtuar që në kohën e Longobardëve. Në këtë Kishë Atë Fausti, bir i një familjeje fisnike me stemë, u ngjit për herë të parë në elter për të ndihmuar Meshë. Në këtë kishë u dashurua me muzikën e me këngën.
Shkollën fillore e ndoqi pjesërisht në Broco, pjesërisht në Vale Pekara, pranë të ungjit, don Umberto Sigolini. I ungji dalloi në të shenjat e para të thirrjes për rrugën e meshtarisë dhe e ndihmoi të hynte në seminarin e Breshias.
Në seminar nuk është njëlloj si në familje: rektori zevendëson babën, zevendës-drejtori mundohet të zevendësojë sadopak nënën e vëllezër janë shokët e klasës, që së bashku me ty, kanë hyrë në rrugën e meshtarisë. Po Fausti i ri do t’i kapërcente të gjitha vështirësitë, i armatosur me idealin e madh: dëshirën për t’ia kushtuar gjithë jetën Zemrës së Krishtit.
Kur më 30 tetor u paraqit te porta e noviciatit të jezuitëve në Goricia, kishte mbushur 25 vjet. Ishte shuguruar meshtar dy vjet më parë, më 9 korrik 1922, ishte diplomuar në filozofi e në teologi dhe kishte punuar tri vjet si mësues në Seminarin e madh të Breshias. Punonte dhe jetonte me moton e përvujtë: “Bëjmë gjithçka që mund të bëjmë për lumninë e Zotit!”.
Atë Fausti na ka lënë trashëgim ditaret e tij, përmes të cilave mund të njohim hollësisht ndjenjat, mendimet, shqetësimet, luftën shpirtërore, dëshirën për t’i shërbyer sa më mirë Jezu Krishtit. Njohim hollësisht edhe ngjarjet e ditëve të tmerrshme të viteve 1945-1946, ditë martirizimi të klerit katolik, njëra nga të cilat, 4 marsi – do t’i vinte palmën e martirit ndër duar tre prej meshtarëve nga më të devoçmit e më të aftët: Atë Faustit SJ., Atë Daniel Dajanit SJ. dhe Atë Gjon Shllakut OFM. Fragmentet nga ditaret e Atë Faustit janë botuar në librin “Pater Fausti, martir në Shqipëri”, shkruar nga Armando Guidati, botuar në Romë më 1974.
Për të zbuluar në mënyrë më të plotë personalitetin e Atë Faustit, jeta e tij në këtë libër përshkruhet me retrospektivë, duke u nisur nga vdekja, që për të krishterët është lindja e vëretetë e njeriut. Nis kështu, sepse vetëm duke u nisur nga vdekja, nga dita kur një plumb komunist e goditi në lule të ballit, mbrapa murit të varrezës katolike të Shkodrës, mund t’i japim përgjigje pyetjes: “A ishte Atë Fausti ai që shtypi komunist e përshkroi si kriminel, thjeshtë për të përligjur arrestimin, procesin, dënimin, pushkatimin? Apo ishte njeri krejt tjetër, që meriton të njihet siç ishte!
Atë Fausti erdhi në Shqipëri dy herë: herën e parë qëndroi nga viti 1928 deri në vitin 1932. U emërua profesor i filozofisë dhe i teologjisë në Seminarin Papnuer të Shkodrës. U mësua shpejt me jetën e Qytetit të Veriut dhe nisi të respektonte gjithçka të mirë që kishin traditat shqiptare. Më 1932 u kthye në Itali, i sëmurë rëndë. Pa mbaruar mirë mjekimet, u nis sërisht për në Shqipëri, këtë radhë si rektor i Kolegjit Saverian. Më 1944 u plagos nga nazi-fashistët, ndërsa mbronte popullin që po dilte nga kisha e jezuitëve në Tiranë.
U arrestua më 31 dhjetor 1946, doli para gjyqit më 30 janar 1946 e u pushkatua më 4 mars 1946.
Procesi gjyqësor ishte tejet fyes dhe i padrejtë. Pa llogaritur sharjet nga ana e gjykatësve dhe e prokurorit, që ranë breshëri mbi kokat e të arrestuarve, kujtojmë se diskutimin kryesor, më të flaktin, ngarkuar me urrejtje e shpifje në adresë të klerikëve dhe të besimtarëve katolikë, që kishte për qëllim të dehte sallën, e mbajti Kolë Jakova, një ndër dramaturgët, poetët e prozatorët më në zë të letërsisë enveriane.
Ndërsa Pater Fausti i pati nisur krejt ndryshe hapat e tij të para në rrugën e misionarit. Shkruan në ditarin e tij: “Mendimi për të shërbyer si misionar më lindi që në vitet e para të seminarit. Do të më mundonte vetëm një dyshim: ‘A ishte kjo thirrja ime e vërtetë? Sepse një gjë është e sigurtë: për t’ia dalë në krye një pune, nuk mjafton vetëm vullneti ynë. Mbi të gjitha është vullnesa e Zotit. Shpresoj se në gjendjen time të sotme është vetë Zoti që më flet. Kam thënë gjithnjë, e sot më shumë se kurrë: “Më fol, o Zot!”.
Atë Fausti ishte njeri i ekulilibruar, bashkëbisedues i këndshëm. Kishte horizont të gjërë kulturor, njihte mirë gjuhë klasike e moderne: latinishten, greqishten e lashtë, frëngjishten, gjermanishten, në sa italishtja e shqipja ishin gjuha e parë e e dytë amtare. Nuk duhet të harrojmë se shumë nga misionarët e huaj, posaçërisht jezuitë, do ta flisnin e do ta shkruanin shqipen më mirë se vetë shqiptarët. Mjafton të kujtojmë Atë Zef Valentinin!
Pater Fausti ishte në korrent të të gjitha të rejave që botoheshin në shtyp, jo për kureshtje, por për të vlerësuar ngjarjet e jetës njerëzore si mësues e si rrëfyes. Në detyrën e tij si mësues e si edukator, ngulmonte për të vënë në jetë devotshmërinë ndaj Zemrës së Krishtit dhe dashurinë për gjithçka që çon në përqafimin me fryt të Kryqit. Punonte për t’i drejtuar veprimtaritë e të rinjve drejt një ideali, përmes të cilit do të lulëzonin individualitetet e tyre për të mirën e përbashkët të Kombit.
Atë Fausti njihet si një nga nismëtarët e dialgut ekumenik e ndërfetar. Në uratët e shkruara prej tij për dialogun ndërfetar, lutet: “O Jezus, Fjala e mishëruar e Bir i Virgjërës Mari, ne po të lutemi për ndjekësit e Islamit. Ata të njohin ty si profet të të madhit Zot, e nderojnë Nënën Tënde si Virgjëreshë të papërlyer, që u zu për virtyt të Gjithfuqisë hyjnore. O Krisht! Edhe për ta u derdh në kryq Gjaku yt i paçmueshëm. Për t’i çliruar nga mëkati e për t’u hapur portat e qiellit! O Jezus! Ndritua mendjet, që të mund të gjejnë në Ungjillin tënd e në Kishën e themeluar nga ti, udhëheqjen drejt dritës së pambaruar… Bëj që zemra jote të jetë edhe për ta burim jete e t’i bëjë bij të vërtetë të Zotit…”.
Se si u zhvillua gjyqi i Atë Gjon Faustit e mësojmë nga një artikull i gazetës “Bashkimi” datë 12 shkurt 1946, me të cilin niste kerrierën gazetari i ri Androkli Kostallari, duke mashtruar opinionin publik dhe duke përligjur plotësisht një krim të shëmtuar, që çoi në pushkatim tre martirë, shenjtorë të ardhshëm të Kishës katolike, të denjë për nderimet e elterit.
Në vitin 1942 Atë Fasuti do të nisej për herë të fundit nga Italia në Shkodër për të mos u larguar kurrë më nga dheu i shqiptarëve. Eshtrat e tij nuk do të pushojnë në tokën amtare. Ata janë përzjerë në mënyrë të pandashme me dheun e Shqipërisë në një varr të panjohur, së bashku me shumë martirë të tjerë të Kishës katolike në Shqipëri.
E në sa trupi i kalbej pa shenjë kryqi e pa emër në tokën e rrafshuar, bashkësia famullitare e Brocos pagëzonte me emrin e tij shkollën e qytetit ku pa dritën së pari.
Në pllakën përkujtimore, që u vendos te hyrja e shkollës, shkruhet: “Në përvjetorin e XX të flijimit të martirit Pater Giovanni Fausti, klerik jezuit, rënë dëshmitar feje në Shkodër të Shqipërisë më 4. 03, 1946, Administrata komunale dhe gjithë popullata ia kushton këtë ndërtesë, në të cilën do të edukohen breznitë e reja”. Në letrën që Ati Provinçial i Jezuitëve i dërgon më 3 dhjetor 1991 misionit Jezuit shqiptar të rimëkëmbur, shkruhet: “Nuk mund të ketë rifillim i cili nuk zgjon kujtime të hershme, sepse duhet të mbetet në kujtesë gjithçka që lidhë praninë tonë të dikurshme me atë të sotmen. E kam fjalën për martirizimin e Atë Fausit e të Atë Dajanit si dhe për sa e sa shembuj që dhanë jezuitët në mbrojtje të fesë – shenja që na bëjnë ta shikojmë plot shpresë të ardhmen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.