Kryenegociatori Ahtisari në NATO: statusi i Kosovës brenda vitit.
(18.10.06 RV)Ndërmjetësuesi i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari
mohoi sot se çështja e përcaktimit të statusit do të shtyhet pas vitit 2006. “Plani
im nuk ka ndryshuar” – deklaroi ai sot në Bruksel, ku u takua në zyrat e NATO-s me
përfaqësuesit e vendeve që bëjnë pjesë në forcën ndërkombëtare në Kosovë. Dje,
kreu evropian i Politikës së Jashtme, Havier Solana deklaroi se sipas gjasave, procesi
mund të shtyhet për shkak të mbajtjes së referendumit për Kushtetutën në Serbi dhe
të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale brenda vitit. Ahtisari sqaroi se ai
akoma është duke punuar mbi planin e përcaktimit të statusit, të cilin do t’ia paraqesë
Këshillit të Sigurimit të OKB-së para se të përfundojë viti 2006. Në të njëjtën
konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer hodhi poshtë
idenë se Serbia mund të marrë pjesë në Partneritetin për Paqe pa arrestuar kriminelin
e luftës, gjeneralin Ratko Mlladiç.