2006-10-18 16:09:42

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme theksoi se ngjarja e Judës, apostullit tradhtar, na nxit të besojmë në mëshirën e pambaruar të Hyjit.


(18.10.2006 RV) “Kur mendojmë për rolin negativ të Judës në historinë e Jezusit, duhet të mendojmë edhe për drejtimin e lartë të ngjarjeve nga ana e Zotit. Misteri hyjnor dhe veprimtaria historike gërshetohen në personin e Judës Iskariot”. Kështu u shpreh Benedikti XVI, i cili ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, apostullit që e tradhtoi Krishtin. Është një ngjarje – tha Papa – që e larton madhështinë e mëshirës së Hyjit, por njëkohësisht edhe respektin e Tij për rrugën që zgjedh vetë njeriu. Në përfundim të katekizmit Benedikti XVI ngushëlloi viktimat e aksidentit të metropolitanës së Romës.
Sot, pra, në qendër të katekizmit ishte një figurë ungjillore. Ishte apostulli që kreu një akt tradhtie të pashembullt, duke u bërë simbol i së keqes e duke merituar epitetin: Juda tradhtari. E pra Juda është njëkohësisht edhe njeriu që, megjithëse kreu një gjest të pafalshëm, bën pjesë në “planin misterioz shpërblyes të Hyjit”. Benedikti XVI sintetizoi në katekizmin e sotëm, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit plot me shtegtarë e besimtarë, dy skajet e një historie që arrin njëkohësisht në thellësitë e ligështisë njerëzore e ndër majat e historisë së shëlbimit.
“Atëherë Juda, tradhtari, duke parë se Jezusi ishte dënuar, u pendua e ua ktheu tridhjetë monedhat e argjëndta kryepriftërinjve e pleqve, duke thënë: ‘Mëkatova sepse tradhtova gjakun e pafajshëm”.
Papa vuri në plan të parë dy pyetje kryesore, të cilat lindin nga leximi i fragmenteve që përshkruajnë tradhtinë e Judës Iskariot, të cilin ungjilltarët, në përkim të plotë njëri me tjetrin, e quajnë ‘njëri nga të Dymbëdhjetët’. Pse i besoi Jezusi Judës? E, posaçërisht, pse Juda e tradhtoi Jezusin? Në rastin e parë fakti që Krishti zgjodhi Judën, mbetet mister:
“E bëhet edhe më i dendur misteri i fatit të tij të amshuar, duke e ditur se Juda u pendua, siç e dëgjuam, e ia ktheu tridhjetë monedhat e argjendit kryepriftërinjve dhe pleqëve, duke u thënë: “Mëkatova, sepse tradhtova gjakun e pafaj’. Ndonëse ai më pas u largua e shkoi për t’u varur, nuk na takon ne ta vlerësojmë gjestin e tij, duke zevendësuar Zotin, që është pambarimisht i mëshirshëm e i drejtë”.
Lidhur me pyetjen ‘Pse e tradhtoi Juda Krishtin’, disa ekzegjetë kanë shprehur mendimin se e bëri këtë nga që ishte i etur për para. Disa të tjerë mendojnë se pati një zhgënjim mesianik. Jezusi nuk do të ishte çlirimtari politik i Izraelit. Gjithsesi Ungjijtë – kujtoi Benedikti XVI, shkojnë në një drejtim tjetër: Juda iu nënshtrua tundimit të djallit. E kjo i kapërcen arsyet historike dhe e ngarkon me përgjegjësi personale. Edhe Pjetri e mohoi Krishtin, por diti ta pranojë faljen. Ndërsa tek Juda, pendimi kalon në dëshprim e më pas edhe në vetshkatërrim.
“Është për ne një ftesë për ta pasur parasysh se nuk duhet të dëshpërohemi kurrë përballë mëshirës hyjnore…. Jezusi e respekton lirinë tonë, Jezusi pret që të pendohemi e të kthehemi në rrugë të drejtë. Ai është i pasur me mëshirë e me falje”.
Në se zemra njerëzore mund të çoroditet në mënyra nga më të ndryshmet, e vetmja mënyrë për t’u shmangur prej tyre – vijoi të shpjegonte Papa – është të mos i vlerësojmë sendet në këndvështrimin personal, duke i parë me syrin tonë njerëzor, por përkundrazi, të radhitemi gjithnjë përkrah Jezusit, duke i parë sipas këndvështrimit të Tij e me sytë e Tij.
Ngjarja e Judës ka edhe një epilog tjetër, që përfaqësohet nga Shën Matia Apostull, i zgjedhur pas Pashkëve në vendin e Iskariotit. Ai – theksoi Papa – kujtohet për besnikërinë e patundur si dëshmitar që e ndoqi pas Jezusin gjatë gjithë jetës së tij tokësore. E ky shembull na jep një mësim tjetër:
“Edhe në se në Kishë nuk mungojnë të krishterët e padenjë e tradhtarë, na takon ne të gjithëve ta shpërblejmë të keqen e kryer prej tyre me dëshminë e pastër që japim për Jezu Krishtin, Zotin e Shëlbuesin tonë”.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI kujtoi një apostull tjetër, të cilin e kremtoi sot Kisha katolike, Shën Lukën ungjilltar. Më pas përshëndeti posaçërisht tri familje rregulltare të impenjuara në kapitujt e tyre të përgjithshëm: Pasionistët, rregulltarët fatebenefrateli dhe Misionaret e Tucingut.
Së fundi Papa shprehu keqardhjen e thellë për viktimat e aksidentit që ndodhi dje në metropolitanën e Romës:
“Jam posaçërisht pranë atyre që u goditën nga kjo ngjarje tragjike – tha Ati i Shenjtë. – Dëshiroj t’u shpreh ngushëllimin e përzemërsinë time, duke i siguruar se i kujtoj në mënyrë të posaçme në lutje”.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.