2006-10-17 16:40:07

Të favorizohet ndjohja ndërmjet popujve për të luftuar paragjykimet fetare: fjalim i imzot Etore Balestreros në OSBE.


(17.10.2006 RV)Të nxitet njohja ndërmjet popujve, për të luftuar paragjykimet, intolerancën dhe diskriminimin kundër të krishterëve dhe besimtarëve të feve të tjera. Këtë theksoi imzot Etore Balestrero, kryetar i delegacionit vatikanas në takimin vjetor të OSBE-së (Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë), mbajtur në Varshavë. Në takim morën pjesë delegatët e 56 vendeve anëtare të OSBE-së, të cilët diskutuan për vënien në jetë të impenjimeve që kanë marrë në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Sot –vërejti imzot Balestrero - tepër shpesh fetë manipulohen, madje edhe keqkuptohen si shkaktare për lindjen e problemeve, në sa duhen konsideruar si mjet për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë ndërmjet kulturave e qytetërimeve. Por – vijoi prelati – pa njohjen reciproke, nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë bashkëpunimi ndërmjet kulturave, feve dhe identiteteve etnie. Bashkëpunimi kërkon dialog e dialogu është vetëm hapi i parë për gjetjen e një terreni të përshtatshëm, mbi të cilin mund të vendoset bashkëpunimi i përhershëm.
Duke kujtuar perspektivën e përvijuar qartë nga Benedikti XVI, sipas të cilës feja nuk duhet të bashkohet me dhunën, por me arsyen, imzot Balestrero theksoi me forcë se OSBE-ja duhet të punojë që fetë të mos manipulohen nga ndjekësit e strategjisë së tensionit.
E, në këtë drejtim, një përgjegjësi të dorës së parë kanë sistemi edukativ dhe mjetet e komunikimit, që duhet të përpiqen t’i shmangin stereotipet, shtrembërimet, intolerancën dhe nënvleftësimin e vazhdueshëm të fesë e të kulturës, duke pasur posaçërisht parasysh edukimin e të rinjve – tha në përfundim kryetari i delegacionit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.