2006-10-17 18:27:08

Dokument evropian mbi Kosovën: mos polarizoni situatën me veprime të njëanshme. Interesant opinioni i Ministrit të Jashtëm italian.


(17.10.06) Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin e sotëm në Luksemburg, miratuan një dokument për Kosovën. Ata kërkojnë nga Prishtina dhe Beogradi t'u ofrojnë mbështetje konstruktive përpjekjeve të kryenegociatorit për statusin, Marti Ahtisari dhe të mos bien në kurthin e aksioneve të njëanshme, provokuese.
Siç pritej, u shty mandati i ekipit të ngarkuar me planifikimin e misionit të ardhshëm policoro-gjyqësor në Kosovë. Duhej të përfundonte më 31 dhjetor, u zgjat deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Interesant qëndrimi i Ministrit të Jashtëm italian Massimo D’Alema, i cili kërkoi që të rishihet marrëveshja e stabilizimit për zonën, duke krijuar mundësinë që ajo të pezullohet, nëse ndokush nga palët kërkon ta polarizojë situatën e të kthehet në qëndrime nacionaliste. Propozimi u mbështet fuqimisht nga vendet e Evropës Qendrore e Juglindore. Kujtojmë se mendimi i D’Alemës për statusin e Kosovës është “një formë pavarësie e kufizuar, që përjashton për shembull pjesëmarrjen e vendit në OKB apo në NATO, por e pranon atë në Organizatën Botërore të Tregtisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.