2006-10-17 17:23:09

Salla e shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot kalendarin e kremtimeve të kryesuara nga Papa deri në fund të dhjetorit.


(17.10.2006 RV)Pasnesër, më 19 tetor, Benedikti XVI do të shkojë në Veronë, ku në stadiumin Bentegodi do të kryesojë Meshën shenjte me rastin e Takimit IV kishtar kombëtar të Kishës italiane. Më 2 nëntor Papa do të përkujtojë papët e vdekur, gjatë një kremtimi në Kriptën e Vatikanit; ndërsa më 4 nëntor do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën për shpirt të kardinajve dhe të ipeshkvijve të vdekur gjatë vitit. Nga 28 nëntori deri më 1 dhjetor Papa do të jetë në shtegtimin apostolik në Turqi. Më 8 dhjetor pasdite do të shkojë në Sheshin e Spanjës për Aktin e nderimit të Zojës së Papërlyer. Më 10 dhjetor, të Dielën e dytë të Ardhjes, Benedikti XVI do të shkojë për vizitë baritore në famullinë romake të Shën Marisë, Yll i ungjillëzimit. Më 24 dhjetor, në orën 24.00, në Solemnitetin e Krishtlindjes, Papa do të kryesojë, në bazilikën e Vatikanit, Meshën e Mesnatës, ndërsa më 25 dhjetor në mesditë, do të japë bekimin ‘Urbi et Orbi’ nga lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit. Së fundi, më 31 dhjetor, në orën 18.00, Papa do të kryesojë, gjithnjë në Shën Pjetër, lutjet e para të mbrëmjes duke falënderuar Zotin për vitin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.