2006-10-16 20:12:39

"Të investohet në bujqësi për sigurinë ushqimore": sot Dita Botërore e Ushqimit.


(16.10.06 RV) “Të investojmë në bujqësi për sigurinë ushqimore”: kjo është tema e ditës së sotme botërore kushtuar ushqimit. Është momenti i bilancit të 10 vjetëve të fundit, të cilat duhej të karakterizoheshin nga rritja e investimeve në bujqësi, për të arritur në vitin 2015 përgjysmimin e urisë e të varfërisë në botë. Të paktën ky ka qenë objektivi që i patën vënë vetes 176 vendet, që u mblodhën në Romë në vititn 1996, në një Samit botëror mbi ushqimin, sponsorizuar nga Programi Ushqimor Botëror.
Ky objektiv duket akoma i paarritshëm, pasi ato që janë përgjysmuar në të vërtetë janë financimet për bujqësinë. Diçka ka filluar të lëvizë vetëm pas vitit 2000. Në vitin 2003, liderët afrikanë, me anë të “Deklaratës së Maputos”, u impenjuan që brenda 5 vjetëve të japin rreth 10% të bilancit kombëtar për zhvillimin e fshatit. Në vitin 2005, G-8 vendosi të japë financimet e para. Se ç’është arritur konkretisht do të shihet në mbledhjen e Programit Ushqimor Botëror në Romë, më 30 e 31 tetor. Sipas mendimit të specialistëve, duhet bërë ç’është e mundur për të evituar përqëndrimin e bujqësisë në duart e latifondistëve të mëdhenj në Amerikën Latine, apo edhe në Afrikë, për t’i lënë frymëmarrje prodhuesit të vogël.
Ndërkaq, vazhdojnë diskutimet mbi Organizmat Gjenetikisht të Modifikuara, të cilat kanë hyrë sidomos në vendet në zhvillim, siç na shpjegon prof. Carlo Cannella, specialist i shkencave ushqimore në Universitetin e Romës “La Sapienza”:
“Sigurisht bioteknologjitë nuk shërbejnë për të prodhuar më mirë e me çmime më të ulta. Shërbejnë për të prodhuar më shumë e për të pasur më shumë fitime. Kaq është e vërtetë, sa këto bioteknologji i zbatojnë në vendet në zhvillim. Shkatërrojmë terrene që nuk janë kultivuar kurrë, pa menduar se ç’efekt mund të ketë kjo mbi të nesërmen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.