2006-10-16 20:04:39

Mesazhi televiziv i Benediktit XVI për Ditën e Gjon Palit II në Poloni.


(16.10.2006 RV) Sot, në përkujtim të 16 tetorit 1978, kur kardinali Karol Vojtila u zgjodh pasadhës i Shën Pjetrit, në Poloni u kremtua Dita kushtuar Gjon Palit II.
Me këtë rast Papa Benedikti XVI i drejtoi atdheut të Papës Vojtila këtë mesazh:
Të dashur vëllezër e motra,
Sot, 16 tetor, ditë në të cilën përkujtojmë zgjedhjen e Karol Vojtilës në Selinë e Shën Pjetrit, dëshiroj të bashkohem shpirtërisht me juve në lutjen e falënderimit për Papninë e Paraardhësit tim të madh. Pranojeni, pra, përshëndetjen time të përzemërt!
Së bashku me juve, dëshiroj të rikthehem me kujtesë në ditën e paharrueshme të zgjedhjes së Tij në Selinë e Shën Pjetrit. Më ushton ende ndër veshë jehona e fjalëve të tij, të përvujta, të urta e plot me përkushtim, kur iu përgjigj pyetjes në se e pranonte zgjedhjen e bërë nga kardinajtë: “Duke bërë dëgjesën në fe përpara Krishtit, Zoti tim, duke ia besuar veten Nënës së Krishtit e të Kishës, - i vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha – pranoj!”. E kam parasysh figurën e tij, të fortë e të qetë, në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, kur dha për herë të parë Bekimin Urbi et Orbi – Romës e Botës, duke ia besuar veten Zojës së Bekuar dhe të gjithë atyre për të cilët do të kujdesej si bari e prijës në të gjithë botën. Nuk e kam harruar kurrë thirrjen e tij profetike: “Mos kini frikë! Hapjani portat Krishtit!”. Falënderoj Zotin që me këto pamje në zemër munda të kaloj më se dy dhjetvjeçarë pranë tij, duke gëzuar mirësinë e miqësinë e tij e që sot mund ta vijoj veprën e nisur nën vështrimin e tij mbrojtës nga Shtëpia e Atit. Falënderoj Zotin për jetën e tij të shkrirë për dashuri të Krishtit e të njerëzve, që pasuroi ngjarjet e mbarë njerëzimit me hirin e Shpirtit Shenjt, në frymën e vëllazërisë e të paqes. Së fundi falënderoj Zotin për dëshminë e vuajtjes së tij të bashkuar me mundimet e Krishtit deri në vdekje – dëshmi që na jep fuqi për të jetuar e na e forcon shpresën për të gëzuar një ditë në amshim.
Sa e dashur ishte për Gjon Palin II Kisha në Poloni! Sa herë e shprehu këtë ndjenjë. E deshi si Nënë që i kishte dhënë jetën në fe dhe e kishte rritur në dashurinë e Krishtit e të vëllezërve. Por e deshi edhe si bashkësi përherë të lidhur ngusht me barinjtë, që në të kaluarën kishte vuajtur aq shumë nga persekutimet e ndryshme, duke i qëndruar gjithnjë besnike vlerave ungjillore. Sa lutej e sa përpiqej që Polonia të fitonte lirinë. E kur kjo u arrit, ai nuk pushoi s’u kujdesuri që bashkatdhetarët e tij të mësoheshin për ta jetuar lirinë si bij të Hyjit e jo si bij të kësaj bote, duke e ruajtur fenë.
I vetëdijshëm për këtë trashëgimi që Ai i la Kishës në Poloni, erdha këtë vit ndërmjet jush me thirrjen e Shën Palit: “Qëndroni të fortë në fe!” Me këtë rast dëshiroj t’ju falënderoj përsëri për dëshminë e fesë së gjallë, që dhatë në kohët e forta të Shpirtit Shenjt e që e gëzoi zemrën time. I lutem Zotit ta ruajë fenë e breznive të ardhshme të kësaj toke fisnike. Ju falënderoj në mënyrë të posaçme për të gjitha shenjat e bashkimit plot dashuri me Papën që pasoi bashkatdhetarin tuaj të madh. Ia besoj mbështetjes suaj shpirtërore shërbimin tim për Kishën e për Botën.
Së fundi në këtë ditë falënderoj me gëzim të gjithë polakët. Kujtimi i Gjon Palit II, studimi i veprës së Tij, ju afrofshin gjithnjë më shumë tek Krishti. Qofshin nyje bashkimi në kujdesin e përbashkët për ardhmërinë e Kishës e të Kombit. Ju bekoj me gjithë zemër: në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
 Është hera e gjashtë që në Poloni kremtohet Dita e papës, themeluar pas shtegtimit të 1999-tës të Gjon Palit II në atdhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.