2006-10-16 19:12:43

Kalendari Kishtar i 16 tetorit përkujton shën Margeritën Maria Alakok.


(16.10.2006 RV) E lindur në Borgonjë të Francës në vitin 1647, Margerita pati një jetë të vështirë. Pa u rritur mirë, iu desh t’u kundërvihej prindërve, për të hyrë në Urdhërin e Vizitacionit, themeluar nga Shën Françesku i Sales. Megjithatë, ia doli mbanesh: u bë Motër Maria dhe jetoi 23 vjet në gjirin e motrave vizitantine, duke ia falur që në fillim jetën e vet Zemrës së Jezu Krishtit si flije për shëlbimin e njerëzimit. Simotrat e keqkuptuan, eprorët e gjykuan keq e deri drejtuesit shpirtëror në fillim nuk deshën t’i besonin. Menduan se ishte një vegimtare fanatike pikërisht ajo, nga e cila do të lindte një devocion i ri, devocioni për Zemrën e Krishtit, i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh. Por cila është simbolika e “Zemrës së shenjtë të Krishtit?” .
Përgjigje: - Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Eshtë simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç shkruan Benedikti XVI në enciklikën e tij të parë “Deus Caritas est” – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të tronditur nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtzakonisht ndërtimtar.
Pyetje: - Si lindi ky devocion?
Përgjigje: - Devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parej-le-Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të pëshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me shtizë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.
Pyetje: - Ndoshta fjala nuk është e përshtatshme, por sidoqoftë e vë në pah idenë: ç’përfitimin shpirtëror kemi nga ky devocion?
Përgjigje: - Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepsè ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. E kam fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin!
Pyetje: - Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngusht edhe me Apostullimin e Uratës…
Përgjigje: - Përshpirtëria e Zemrës së Krishtit është pikërisht në qëndër të Apostullimit të Uratës. E ka qenë që në fillimet e këtij devocioni, që i fton të gjithë besimtarët të mblidhen rreth “Asaj Zemre, që aq fort i deshi njerëzit” – fjalë këto që Zoti ia tha në një nga vegimet Shenjtes Margarita Maria Alakok e që u bë moto e divocionit për Zemrën e Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.