Sot Papa shpalli 4 shenjtorë të rinj duke theksuar se braktisën gjithçka për të ndjekur
Krishtin, të cilin e deshën ndër më të varfërit.
(15.10.2006 RV) “Emrat
e tyre do të kujtohen përgjithmonë”. Kështu u shpreh sot Papa Benedikti XVI në kremtimin
solemn, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. “Në se njeriu e kërkon sigurinë
në pasuritë e kësaj bote, nuk mund ta gjejë kuptimin e plotë të jetës, as gëzimin
e vërtetë; por në se duke i besuar fjalës së Zotit, heq dorë nga vetvetja e nga pasuritë
e tij për Mbretërinë e qiellit, në dukje humbet shumë, por në të vërtetë fiton gjithçka.
E Shenjt është pikërisht ai burrë ose ajo grua që, duke iu përgjigjur me gëzim e bujari
thirrjes së Krishtit, lë gjithçka për tandjekur” – ky është mesazhi që
i përcolli Benedikti XVI mijëra besimtarëve ardhur nga të katër anët e botës, në
homelinë e mbajtur sot paradite për shpalljen e katër shenjtorëve të rij. Janë:
ipeshkvi meksikan Rafael Guizar Valencia (1878-1938); prifti napoletan, që
jetoi në Leçe të Italisë, Filipo Zmaldone (1848-1923) themelues i instituteve
për shurdhmemecët dhe i Kongregatës së Motrave saleziane të Zemrave të Shenjta; rregulltarja
viterbeze Roza Venerini (1656-1728), themeluese e Kongregatës së Mësueseve
të Përshpirtshme Venerini dhe francezja Teodora Guerin, në shekull Ana-Tereza
(1798-1856), themeluese e Kongregatës së Motrave të Provanisë të Shën Marisë “ad Nemus”
në zonat e shkreta dhe të egra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shembulli
i tyre në ndihmë të të varfërve e të përvujtëve - vërejti Papa gjatë homelisë – buron
nga fakti se ata e bënë të vetën logjikën e dhurimit e të shërbimit, e vetmja që e
shpëton botën. Duke folur në gjuhën spanjolle, Papa e kujtoi Shën Rafael
Guizar y Valencien si “ipeshkëv i të varfërve”: “Duke imituar Jezusin
e varfër, la pasuritë e tij dhe nuk pranoi kurrë dhurata nga njerëzit e fuqishëm.
Prandaj mori njëqind herë më shumë, në sa ishte gjithnjë i gatshëm të përballonte
persekutimin në Meksikën e dhjetvjeçarëve të parë të nëntëqindës, për të çuar përpara
veprimtarinë e tij humanitare dhe mbështetjen e të rinjve që dëshironin të bëheshin
priftërinj e rregulltarë”. Shën Filip Zmaldonen Ati i Shenjtë e
kujtoi si bir i Italisë jugore, i pajisur me virtytet më të mira të tokës së tij.
Meshtar me zemër të madhe, i ushqyer vazhdimisht nga lutja dhe adhurimi eukaristik,
qe mbi të gjitha dëshmitar e shërbëtor i dashurisë së krishterë, të cilën e shprehu
duke u shërbyer të varfërve, posaçërisht shurdhmemecëve: “Ndër shurdhmememcët
Shën Filip Zmaldone shikonte të pasqyruar figurën e Jezusit. Prandaj i pëlqente t’u
përsëriste atyre që punonin përkrah tij: siç gjunjëzohesh para të Shenjtnueshmit Sakrament,
ashtu duhet të gjunjëzohesh para shurdhmemecëve. Atyre ua kushtoi gjithë vetveten
e vepra që nisi, në saje të Kongregatës së themeluar prej tij, vijon të lulëzojë
në Itali e në botë. Duke kujtuar Shën Roza Venerinin, Benedikti XVI
vuri në dukje veprimtarinë e saj largpamëse për lartimin shpirtëror dhe emancipimin
e grave të reja të kohës së vet. Shën Roza – vijoi Ati i Shenjtë – nuk kënaqej vetëm
me arsimimin e përshtatshëm të vajzave, por shqetësohej kryesisht për formimin e
tyre të plotë kulturor e fetar, në përkim me mësimin doktrinor të Kishës. “Dëshironte
të përsëriste: “Jam aq e kryqëzuar në vullnetin hyjnor, sa nuk më shqetëson fare
as vdekja e as jeta: dua të jetoj aq sa do Zoti, e dua të shërbej aq, sa dëshron Ai
e s’dua gjë tjetër”. Duke folur për Shën Teodorën Guerin, Papa nënvizoi
veprimtarinë e saj misionare në SHBA në gjysmën e parë të tetëqindes në zonat e shkreta
e të egra të Indianës, ku ajo dhe 5 simotra, arritën pas një shtegtimi të gjatë: “Atje ata ndërtuan një kapelë të thjeshtë druri në zemër të pyllit. U
gjunjëzuan para të Shenjtnueshmit Sakrament e e falënderuan, duke iu lutur Zotit t’i
printe kongregatës së re”. “Figurë e bukur shpirtërore dhe model
i jetës së krishterë” – kështu e quajti Benedikti XVI dhe në përfundim theksoi se
ashtu si të katër shenjtorët, Jezusi na fton edhe neve ta ndjekim, për të pasur si
trashëgim jetën e pasosur. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa përshëndeti
në gjuhë të ndryshme besimtarët e shumtë, ardhur posaçërisht nga vendet e shenjtorëve
të rinj dhe iu lut Virgjërës Mari të ndërmjetësojë që çdo besimtar t’i përgjigjet
me gëzim e bujari thirrjes që i bën Zoti për të qenë shenjë e shenjtërisë së Tij”.