2006-10-15 15:45:47

Shenjtorët e javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar.


(15.10.2006 RV) RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXVIII të kohës gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Terezën e Jezusit, virgjër, doktoreshë e Kishës, karmelitane e zbathur.
Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare, të Shën Margeritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe të Shën Gjerardo Maielës, vëlla laik redentorist. Festa e tyre na kujton se feja na ndihmon ta njohim e ta lexojmë jetën në këndvështrimin e Hyjit, duke u mbështetur plotësisht në Të e duke e bekuar në amshim emrin e Zotit.
Të martën do të përkujtohen Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe Shën Pjetër Kasani, meshtar skolop, që ia dhuruan gjithë jetën Jezusit, i cili u mësoi se nuk janë sjelljet, as pamja e jashtme, që do të na shpëtojnë. Ajo që vlen me të vërtetë është drejtësia dhe dashuria për Zotin, i cili lind në zemrën tonë.
Shën Luka ungjilltar, mjek, pajtor i artistëve, që do të kremtohet të mërkurën e ardhshme, na kujton se miqtë e Zotit e kumtojnë kudo në botë mbretërinë e tij.
Të enjten e ardhshme Kisha do të përkujtojë Shën Gjonin de Brebëf e Isak Joges, meshtarë - dhe shokët e tyre jezuitë, martirë kanadezë si dhe e Shën Palin e Kryqit, themelues i pasionistëve. Festa e tyre liturgjike na kujton se Zoti do të kërkojë llogari për gjakun e derdhur padrejtësisht, për peshën që ngarkojmë mbi shpinën e të tjerëve, për çdo gënjeshtër që themi në dobi të vetvetes e në dëm të të afërmit. Në se duam të hyjmë në mbretërinë e qiellit, duhet të jetojmë në përkim me Ungjillin, duke iu kundërvënë çdo shfaqjeje të hipokrizisë.
Në përkujtimin e Shën Laurës, Shën Irenës dhe Shën Maria Bertilës Boskardin, virgjër - të premten e ardhshme, Kisha na kujton se Zoti nuk harron as harabelin më të vogël dhe e di deri numrin e flokëve që kemi në kokë. Të gjithë jemi në zemrën e Atit qiellor.
Të shtunën do të kremtohet festa e Shën Gasprit të Bufalos, meshtar, themelues i Misionarëve të Gjakut paçmueshëm të Jezu Krishtit, që na kujton se lumnia më e madhe e Zotit është njeriu i gjallë, në të cilin banon Shpirti i Tij i Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.