Benedikti XVI kujton 50-vjetorin e revolucionit hungarez: “Është fisnike dhe e drejtë
të mbrosh lirinë e fenë”.
(15.10.2006 RV)Kështu shkruan Papa në letrën dorëzuar kardinalit Sodano, Sekretar
nderi i Shtetit të Shenjtërisë së Tij dhe Dekan i Kolegjit Kardinalor, legat papnor
në kremtimet që do të mbahen në Budapest më 22 e 23 tetor me rastin e 50-vjetorit
të kryengritjes demokratike hungareze kundër diktaturës komuniste. Kremtimet
na kujtojnë revolucionin e vitit 1956, kur Hungaria bëri përpjekje heroike të çlirohej
nga diktatura komuniste. Kryengritja u shtyp me gjak nga trupat e Paktit të Varshavës,
duke shkaktuar me qindra viktima. Liria e vërtetë – pohon Papa në letër, duke cituar
Koncilin II të Vatkanit – është shenjë e privilegjuar e figurës hyjnore në zemrën
e njeriut. Për lirinë mijëra njerëz, luftuan, pësuan persekutime të tmerrshme, dhuruan
edhe jetën. Pikërisht këta janë njerëzit më të denjë për t’u kujtuar përjetësisht.
E kjo është detyrë e të gjithë atyre që e dashurojnë vërtetë lirinë, aq sa për të
të derdhin edhe gjakun. Duke marrë shtytjen nga 50-vjetori i mbrojtjes heroike të
lirisë kombëtare në Hungari, Benedikti XVI i nxit të gjithë, por sidomos ata që merren
me edukimin, të përpiqen për të formuar njerëz të cilët, duke e njohur plotësisht
rendin moral, dinë t’u nështrohen autoriteteve ligjore, por pa i lejuar t’ua cënojnë
lirinë e vërtetë, sepse është e drejtë e fisnike ta mbrosh me të gjitha forcat e në
të gjitha rrethanat!