2006-10-13 16:43:05

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Dino Monduci, që i desh aq shumë shqiptarët.


(13.10.2006 RV)Dje, pas një sëmundjeje të gjatë, ndërroi jetë në moshën 84 vjeç, kardinali Dino Monduci, diakon i Shën Sebastianit në Palatin dhe prefekt nderi i Shtëpisë Papnore.
“Në shërbim të katër papëve me përkushtim të jashtzakonshëm, kardinali i ndjerë e kreu detyrën e mjeshtrit të dhomës me shkathtësi e urti”: kështu e kujton Papa Benedikti XVI në telegramin e ngushëllimit drejtuar familjarëve, duke theksuar aftësitë e veçanta të të ndjerit në organizimin e audiencave papnore e të shtegtimeve baritore në Itali.
Salikimet e Kardinalit të ndjerë do të kremtohen të hënën e ardhshme në bazilikën e Vatikanit.
Emrin e kardinalit Monduci e njohin mirë shumë shqiptarë, që nga personalitetet më të larta kishtare e politike, tek njerëzit më të thjeshtë.
Ai i shoqëroi tek Papa Gjon Pali II meshtarët e ipeshkvijtë e parë shqiptarë, që shkelën në Vatikan pas shembjes së perdes së hekurt. Po ai, ambasadorin e parë të Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Willy Kamsin dhe kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqin. U priu më pas edhe personaliteteve të ndryshme politike shqiptare, që trokisnin në derën e Papës për të kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar, duke dëshiruar gjithnjë që këto takime të ndikonin për një ardhmëri më të mirë të vendit të vogël ballkanik. E ndjente thellë vuajtjen e popullit shqiptar dhe e çmonte shumë madhështinë e Kishës së martirizuar së bashku me grigjën e vet. I respektonte shqiptarët aq, sa kur shkelnin në Vatikan, bënte çmos ta ndjenin veten si në shtëpinë e tyre.
Me këtë frymë e me këto dëshira e shoqëroi Papën Gjon Pali II në shtegtimin e tij historik të 25 prillit 1993 në Tiranë e në Shkodër, duke ruajtur nga ky shtegtim kujtime të paharrueshme që e thelluan më tej afërsinë dhe respektin për shqiptarët. Meriton prandaj kujtim e lutje për pushimin në paqe të shpirtit të tij të ndritur.









All the contents on this site are copyrighted ©.