Duke shfletuar kalendarin e 13 tetorit, kisha katolike festoi Shën Teofilin, Ipeshkëv.
(13.10.2006 RV)Shën Teofili, ipeshkëv i Antiokisë, është autor i shumë veprave,
disa nga të cilat kanë arritur deri në ditët tona, ndërsa nga të tjerat kanë mbetur
vetëm titujt. Duke i shfletuar, mund të njihemi me fjalën e Shenjtit në mbrojtje
të doktrinës së fesë së krishterë, që edhe asokohe akuzohej nga të pafetë e nga njerëzit
me vese. “Në se ti do të më thuash – shkruante ipeshkvi – ma trego Zotin tënd,
unë do të them: tregoma njeriun tënd e unë do të të tregoj Zotin tim! Ma trego, pra,
që të mund të shohin qartë sytë e shpirtit tënd e të dëgjojnë veshët e zemrës sate.
Kështu do ta kuptosh se Zoti u duket atyre që mund ta shohin, kur i kanë të hapur
sytë e shpirtit. E kur shpirti është i verbër, më kot pret e kërkon të shikojë Zotin.
Të gjithë i kanë sytë në ballë, po shumkush i ka të mjegulluar e prandaj nuk është
në gjendje ta dallojë as dritën e diellit. Megjithatë dielli vijon të lindë çdo ditë,
edhe pse të verbërit nuk e shohin. Të verbërit nuk duhet të kapen me dritën e diellit,
po me sytë e tyre pa dritë. Është faji i syve, jo i diellit. Njëlloj, biri im, në
se drita e syve të shpirtit tënd është errësuar nga fajet tua e nga zakonet tua të
prishura, ti nuk do të mund ta shikosh dritën. Gjithçka i ngjet pasqyrës. Duhet të
jetë gjithnjë tepër e pastër, në se njeriu dëshiron të shohë në të fytyrën e vet.
Ashtu edhe shpirti i njeriut, në se dëshiron të shohë fytyrën e Zotit. Në se pasqyra
është e prishur, njeriu nuk mund ta shikojë fytyrën e vet në të. Ashtu edhe shpirti
i njeriu të prishur nuk mund ta kundrojë Zotin”. Autori i këtyre frazave, të
cilat më pas do t’i citonte vetë Shën Agostini, lindi në botën lindore, diku ndërmjet
Tigrit dhe Eufratit. Ishte pagan dhe u edukua me frymën e kulturës helenistike. U
kthye në fenë e krishterë, sepse i pëlqyen sjelljet e të krishterëve, shumë më të
larta se të paganëve, e sidomos, sepse nisi të lexonte Shkrimin Shenjt, që e mahniti
mendërisht e shpirtërisht. Gjithsesi përvoja e njeriu të kthyer nga paganizmi në krishtërim
dhe njohja e thellë e kulturës shekullare, do t’i shërbenin shumë më vonë në polemikat
kundër njerëzve që nuk besonin dhe filozofëve të helenizuar. Në vitin 169 u zgjodh
ipeshkëv i Antiokisë. Vijoi të ishte bari i atij qyteti të madh, ku kishte pasur katedrën
e parë vetë Shën Pjetri, edhe pas vdekjes së Mark Aurelit, në vitin 180. Ndoshta pa
edhe vitet e para të perandorisë së Komodit, që zu vendin e perandorit të vdekur. Kujdesi
apostolik në mes të një bashkësie nga më të mëdhatë e më të trazuarat të botës së
lashtë kristiane, nuk e shkëputën nga studimi dhe veprimtaritë intelektuale. Shkroi
vepra të zjarrta polemike kundër heretikëve të kohës, vepra katekistike, komente të
Shkrimit Shenjt, vepra me karakter historik dhe shkrime që kishin për qëllim t’i kundërviheshin
miteve të paganëve. Mund të themi me plot gojën se qe ipeshkëv i cili la gjurmë të
thella urtie e kulture në historinë e kohës së vet, ashtu si la edhe gjurmë të pashlyeshme
dashurie e mëshire në shpirtrat e njerëzve që i qenë besuar kujdesit të tij baritor.
E, siç e shikojmë, gjurmët e kulturës e të shenjtërisë së tij vijojnë nëpër shekuj,
duke arritur deri në ditët tona.