Benedikti XVI pret Romano Prodin: në qendër të bisedimeve, bioetika, jeta, familja,
solidariteti, dialogu dhe vlerat e krishtera në procesin e integrimit evropian.
(13.10.2006 RV)Kryeministri i Italisë, Romano Prodi, arriti në orën 11 në Vatikan,
i shoqëruar nga bashkëshortja, Flavia dhe nga një grup personalitetesh. Papa e priti
përzemërsisht kryeministrin në prag të bibliotekës së tij private dhe i priu drejt
vendit, ku më pas u zhvillua bisedimi privat, që zgjati rreth 30 minuta. Pasoi ceremonia
tradicionale e shkëmbimit të dhuratave: kryeministri Prodi i dhuroi Papës një kelk
të çmuar argjendi të zmaltuar të viteve ‘800, me kapak të praruar, ndërsa Papa i dhuroi
delegacionit italian medalje të papnisë dhe rruzare. Gjatë bisedimeve të përzemërta
– shpjegon një notë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u prek tema e marrëdhënieve
ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Italisë, duke u ndaluar posaçërisht në
fushën e bioetikës, të mbrojtjes dhe të promovimit të jetës, të solidaritetit, të
dialogut ndërmjet feve dhe kulturave si dhe të edukimit të rinisë. Nuk mungoi edhe
shkëmbimi i mendime mbi temën e politikës ndërkombëtare, veçanërisht mbi situatën
në Lindjen e Mesme, impenjimin italian në Liban e, sidomos, mbi rëndësinë që kanë
vlerat e krishtera në procesin e integrimit evropian. Së fundi – shënon nota e Sallës
vatikanase të Shtypit – u ripohua vullneti i mirë i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet
dy palëve për progresin e Kombit italian dhe për të mirën e gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Më pas kryeministri Prodi u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin
Tarçizio Bertone.