2006-10-12 17:31:56

Zoti e bekoftë çdo përpjekje kundër shpërdorimit të fesë: këtë uroi Benedikti XVI duke pritur një delegacion të Anti-Defamacion League.


(12.10.2006 RV) E themeluar në SHBA në vitin 1913, Anti Defamacion League është shoqatë që lufton antisemitizmin dhe të gjitha format e intorerancës, duke vënë në plan të parë të veprimtarisë, mbrojtjen e të drejtave civile përmes një rrjeti prej 30 zyrash kombëtare nëpër botë.
Përfaqësuesit e Anti Defamacion League janë pritur disa herë në audiencë nga Papa Gjon Pali II, ndërsa me Benediktin XVI u takuan sot për herë të parë. Gjatë këtij takimi, Papa uroi të krijohen marrëdhënie që kanë në bazë jo vetëm tolerancën, por edhe respektin e vërtetë, të bazuar mbi njohjen nga afër të njëri-tjetrit. Ati i Shenjtë theksoi më pas se kjo njohje është e nevojshme për të mbështetur udhëheqësit fetarë, politikë, akademikë dhe ekonomikë të cilët, në botën e sotme, e kanë për detyrë të nxisin dialogun ndërmjet popujve e kulturave. Hebrenj, të krishterë e myslimanë kanë shumë opinione përbashkëta – tha në vijim Papa – dhe theksoi se ka shumë fusha të impenjimit humanitar e shoqëror në të cilat mund dhe duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë. Ati i Shenjtë vërejti edhe se Deklarata e Koncilit II të Vatikanit Nostra Aetate kujton se rrënjët hebraike të krishterimit na imponojnë t’i kapërcejmë konfliktet e së kaluarës e të krijojmë lidhje të reja miqësie e bashkëpunimi. Pohoi më pas në mënyrë të posaçme se Kisha i dënon të gjitha format e urrejtjes e të persekeutimit kundër hebrenjve si dhe të gjitha manifestimet antisemite në çdo kohë e nga çfarëdo burimi që të vijnë. Dyzet vjet pas Deklaratës së Koncilit II të Vatikanit, janë bërë shumë hapa përpara – tha Benedikti XVI - duke uruar në përfundim të takimit, vijimin e dialogut të sinqertë, bazë për marrëdhënie të shëndosha e të frytshme.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.