2006-10-12 17:32:08

Sot Papa priti në audiencë private kryeministrin polak Kacinski: në qëndër të vëmendjes, mbrojtja e jetës dhe e familjes, liria fetare dhe dialogu ndërmjet kulturave.


(12.10.2006 RV) Takimi i Papës me kryeministrin polak Jaroslav Kaçinski, që u mbajt në bibliotekën apostolike, zgjati 40 minuta. Në qëndër të vëmendjes gjatë bisedimeve ishin kryesisht mbrojtja e jetës, e familjes, liria fetare dhe dialogu ndërmjet kulturave. Udhëheqësi polak i dhuroi Atit të Shenjtë një skulpturë qelqi të monumentit të kompozitorit të shquar polak, Frederik Shopen, ndërsa Papa i dhuroi mysafirit medalje të papnisë. Si përfundoi biseda private, u pritën në bibliotekë edhe anëtarët e delegacionit që shoqëronte kryeministrin polak. Ndërmjet tyre, ministrja e jashtme, Ana Fotiga dhe ambasadorja polake pranë Selisë së Shenjtë, Hana Shoka.
Më pas kryeministri Kaçinski u takua edhe me kardinalin Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Para se të ngjitej në apartamentin papnor, kryeministri Kacinski përshëndeti kardinalin e moshuar polak, Andrei Deskur, të cilit i dorëzoi një titull nderi. Së fundi zbriti në kriptën e Vatikanit, për t’u lutur pranë varrit të Gjon Palit II. Pas audiencës me Benediktin XVI, kryeministri Kacinski shkoi në ambasadën polake pranë Selisë së Shenjtë, ku i dorëzoi dy tituj nderi ish-sekrtretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Angjelo Sodano dhe ish-drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Joakin Navarro–Valls për shërbimin e tyre të gjatë e fisnik pranë Papës Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.