2006-10-12 17:32:39

Më 12 tetor përkujtojmë themelimin në Stamboll të Shoqërisë të të Shtypurit të Shkronjave Shqip.


(12.10.2006 RV) Më 12 tetor 1879, me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, u themelua në Stamboll "Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip", e cila pak kohë më parë kishte botuar alfabetin shqip. Ishte shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare, që do të shihnin dritën në shtypshkronjën e shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit. Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezerit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut.







All the contents on this site are copyrighted ©.