Duke shfletuar kalendarin, Kisha katolike festoi shën Serafinin nga Montegranaro,
rregulltar.
(12. 10. 2006 RV)Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në Marke. Prindërit
e tij: Girolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por
edhe tepër të varfër. Nuk munden, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija
shumë shpejt u detyrua të ruante grigjët e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan
vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan
të Tolentinos. Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë
dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht
nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave
që i besoheshin, nuk ia dilte mbanesh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët
nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj
gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse. Mbeti gjithë jetën i varfër, i përvujtë,
i pastër, i gatshëm për ta poshtëruar veten e për të lartuar të tjerët. Gjatë kryerjes
së detyrës si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, diti
gjithnjë të gjejë fjalët e përshtatshmee për secilin, të sillej me delikatesë, duke
pasur një dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit, t’u hapte jo vetëm
portën e kuvendit, po sidomos atë të Parrizit. Në vitin 1590 Serafini u vendos
përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin 1602, kur u përhap
lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet i shkruan eroprëve të mos e
largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim të jashtzakonshëm
mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante, zhdukte urrejtjen,
edukonte virtytet. Lutej, prvuhej, punote, duronte, ndërsa krahas lavdatave, nuk
i munguan kurrë as qortimet. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as ndihma e Hyjit, të cilin
e pat gjithnjë pranë kudo punonte: në kuzhinë, te porta, në kopsht. Zoti i dha hirin
të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të gjithë. E ai ishte gjithnjë i kënaqur,
në sa dinte të lexonte vetëm dy libra: të Kryqëzuarin e Rruzaren. Ishte 64 vjeç e
fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufinjtë e Askolit, kur kërkoi me ngulm
vojimin shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë
pasi kishte marrë shujtën e shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes, zëri
i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës Pali
V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga Klementi
XIII, më 16 korrik 1767.