2006-10-11 16:05:59

Vendimi i Papës për të mbledhur sinodin me temë Fjalën e Zotit, u prit me gëzim nga Kisha katolike. Koment i kardinalit Karlo Maria Martini.


(11. 10.2006 RV)“Vetëm ai që e dëgjon me vëmendje të madhe Fjalën e Zotit, mund të bëhet pastaj kumtues i saj, sepse ajo që duhet t’u mësojë të tjerëve, nuk është dituria e vet, por dituria e Zotit”. Këtë e ka ripohuar disa herë Papa Benedikti XVI i cili, pak ditë më parë, shpalli Asamblenë e 12-të të përgjithshme të zakonshme të sinodit të ipeshkvijve, me temë: “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës”, që do të mbahet në Vatikan nga data 5 deri më 26 tetor 2008. Sinodi ka për qëllim të ritheksojë rëndësinë themelore të Fjalës së Zotit e, prej këndej, risimin e jetës së Kishës, posaçërisht në predikim, katekizëm, teologji, përshpirtëri e në rrugën ekumenike.
Papa i fton të gjithë besimtarët ta lexojnë rregullisht Biblën sepse, siç thotë Shën Jeronimi, “kush nuk e njeh Shkrimin Shenjt, nuk njeh Krishtin”. Por, si e priti shpalljen e sinodit kardinali Karlo Maria Martini, të cilin Papa Benedikti XVI e quan mësues të Fjalës hyjnore? Ta dëgjojmë vetë kryeipeshkvin e nderit të Milanos në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Kjo mbledhje e sinodit më gëzon pa masë, sepse më kujtohet se që nga sinodet e para universale, në të cilat kam marrë pjesë si kryeipeshkëv i Milanos, që nga fillimi i viteve ’80, kur në përfundim të sinodit na drejtohej pyetja “ç’argument propozoni për sinodin e ardhshëm?”, unë ngulja këmbë gjithnjë mbi temën e Fjalës së Zotit. Mund të them, prandaj, se kam dëshiruar gjithnjë që Fjala e Zotit të bëhej argument i një sinodi. Më në fund shikoj se Papa Benedikti XVI e ka pasur parasysh dëshirën time, të cilën e kam shprehur edhe në raste të tjera publike. Jam tepër i kënaqur, prandaj, që Papa zgjodhi këtë temë e besoj se Kisha do të ketë shumë përfitime prej saj.
Pyetje: - Hirësi, në ç’mënyrë Fjala e Zotit mund të bëhet mjet i privilegjuar për risimin e Kishës?
Përgjigje: - Kisha lind nga fjala e Zotit, kuptimi i fundit i së cilës është vetë Fjala e Hyjit, është Fjala e mishëruar, Jezu Krishti. Është Fjala e profetëve, Fjala e apostujve e, së fundi, Fjala e shkruar në Bibël. Kisha lind nga kjo Fjalë e prandaj edhe përtrihet, rilind sa herë që kthehet tek kjo Fjalë. Posaçërisht Fjala e Shkrimit Shenjt është pikërisht në duart e Kishës, që Kisha ta ketë sa më pranë e të përtrihet nga kjo afërsi. Në të vërtetë, kjo fjalë e Zotit, që na çon te vullneti i vetë Hyjit, kjo dëshirë e Hyjit për të komunikuar me ne, na tregon edhe cili është plani i Zotit, ç’dëshiron Zoti nga ne, ç’pret nga Kisha, cila është detyra jonë, cila është ardhmëria jonë. Kështu Kisha rinohet vazhdimisht, duke pirë në burimin e Fjalës së Zotit, ashtu si përtërihet duke u ushqyer me Eukaristinë.
Pyetje: - Pra, ju mendoni se ka ardhur çasti kur Kisha duhet të rikthehet tek ushqimi i Fjalës së Zotit?
Përgjigje: - Po, sigurisht. Këtë e ka thënë Koncili II i Vatikanit, që na nxit të ushqehemi më shumë me Fjalën e Zotit – gjë që ka ndodhur edhe me risimin liturgjik – por i nxit edhe laikët të ushqehen çdo ditë me Fjalën e Zotit e të mësohen për t’u lutur me këtë Fjalë. Kjo duhet vënë vazhdimisht në jetë, sepse duhet kohë që të realizohet kjo dëshirë e Koncilit.
Pyetje: - Sinodi do të mbahet në tetorin e vitit 2008 por ju, që e keni dëshiruar këtë temë, sigurisht e merrni me mend ç’ udhëzime baritore mund të dalin nga ky takim, nga ky ballafaqim…
Përgjigje: - Duhet parë ç’ probleme do të shtrojë konkretisht Papa. Gjithsesi mua më duket se është e rëndësishme të nisemi nga Dei Verbum, dokument themelor mbi bazën e të cilit Kisha ka shprehur bindjen e vet për Fjalën e Zotit. Do të më dukej diçka shumë e bukur të shqyrtohej me vemendje kapitulli VII I Dei Verbum, dmth kapitulli që tregon ç’bën Kisha me Fjalën e Zotit, si ushqehet Kisha prej saj në teologji, në katekizëm, në liturgji e pastaj, mbi të gjitha, fragmenti të cilin e kujton vazhdimisht Papa Benedikti XVI. Është fragmenti që flet për Fjalën e Zotit në jetën e të krishterëve, të cilët duhen mësuar të meditojnë mbi Fjalën me atë që sot quhet Lectio Divina, dmth të mësohen për t’u lutur duke u nisur prej saj. Sinodi duhet t’i shqyrtojë gjithë këto probleme, duhet t’i përgjigjet pyetjes si e kemi vënë në jetë Dei Verbum, si e jetojmë në bashkësitë tona atë që njihet me merin ‘Lectio Divina’, dmth si i shfrytëzojmë tekstet biblike, duke i lexuar e rilexuar, gati duke i ripërtypur. Prandaj besoj se do të jetë një çast tepër i rëndësishëm për historinë e për jetën e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.