2006-10-11 19:07:46

Koreja e Veriut kërcënon masa kundër sanksioneve; hacker islamikë kundër Vatikanit e lajme të tjera


(11.10.06)Në plan të parë kriza bërthamore e Koresë së Veriut. Qeveria e Piongjangut ka deklaruar se do të ndërmarrë një seri masash në rast se vendosen sanksione kundër saj. Nëse do të vazhdojnë presionet amerikane e nëse do të vendosen masa kufizuese kundër tij, regjimi stalinist do ta konsiderojë këtë një deklaratë lufte dhe do të përgjigjet me prova të tjera bërthamore. Ndërkaq, 5 anëtarët e Këshillit të Sigurimit po përcaktojnë kohët edhe mënyrët e ushtrimit të sanksioneve kundër Koresë së Veriut. Nga ana e saj, Japonia ka ndaluar kalimin anijeve koreanoveriore në ujrat e saj dhe ka ndërmarrë një seri sanksionesh të tjera ekonomike.

Sonte në orën 20.00 faqja zyrtare e internetit e Vatikanit është sulmuar nga piratë myslimanë të afërt me rrjetin terrorist të Al Kaidës. Gjesti, i menduar si përgjigje ndaj fjalimit të Papës Benedikti XVI në Regensburg, u shpall me një mesazh të publikuar ditë më parë në një forum, që përdoret nga guerrilja irakiane. Thirrjes, së titulluar “Plani i ri për të sulmuar Vatikanin, sulm në mbrojtjen e profetit”, u janë përgjigjur shumë përdorues të faqes së internetit të Al Kaidës. Sipas planit, sulmi duhet të zgjasë dy ditë, në mënyrë që të mos lejohen teknikët e Vatikanit të hapin faqen e internetit.

Ka arritur në 13 numri i të vdekurve në një aksident hekurudhor në Zoufftgen, në pjesën verilindore të Francës. Një tren pasagjerësh me dy kate u përplas me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt në një pjesë ku po bëheshin punime. Për shkak të punimeve, funksiononte vetëm një linjë në mënyrë të alternuar.

Deri tani, vlerësohet se 655 mijë irakianë kanë vdekur që nga fillimi i sulmit kundër Irakut në mars të vitit 2003. Kjo e dhënë del nga një studim statistikor që do të publikohet nga revista mjekësore britanike “The Lancet”. Menjeherë reagimi i Shtëpisë së Bardhë. Sipas presidentit amerikan Bush, kjo shifër nuk është e besueshme. Prej këtyre të vdekurve, studimi vë në dukje se rreth 601 mijë, pra gati 500 vetë në ditë, kanë qenë viktima të dhunës, ndërsa për të tjerët arësyeja e vdekjes është sëmundja ose shkaqe të tjera. Studimi është kryer në bashkëpunim me 8 mjekë të Bagdadit.

Presidenti sirian Bashar Asad duhet të vijë në Izrael, nëse është serioze oferta e tij e paqes. Kështu deklaroi sot zv.kryeministri izraelit Shimon Peres, duke ju referuar intervistës së Asadit për Bbc-në, të hënën e kaluar. Në atë intervistë, presidenti sirian u tregua i gatshëm për bisedime paqeje, por pyeste nëse do të ishte në gjendje Izraeli të udhëhiqte një tryezë të rrumbullakët për paqen. “Nëse Assad dëshiron të vijë në Knesset, askush s’do ta ndalë” komentoi Peres në radion izraelite. I vetmi precedent, ka të bëjë me fjalimin e presidentit egjiptian Sadat në parlamentin izraelit në vitin 1977.

Hezbollahët e Libanit do të rifillojnë fushatën e tyre ushtarake nëse izraelitët nuk do të tërhiqen nga zona e Shebaa-s dhe nga territoret e tjera të okupuara gjatë luftës së 34 ditëve të verës së kaluar. Deklarata është e presidentit të parlamentit libanez Nabih Berri, i cili gjatë luftës bënte ndërmjetësin për kontaktet me hezbollahët. Fermat e Shebaa-s janë okupuar nga Izraelit që nga viti 1967 dhe rivendikohen si nga Siria, ashtu edhe nga Libani.

UNMIK-u nuk do ta mbështesë me strukturën e vet referendumin serb që do të zhvillohet në Kosovë në datat 28 e 29 tetor. Qëllimi i Beogradit është që serbët e Kosovës të shprehin preferencën e tyre për Kushtetutën e re serbe, ku Kosova konsiderohet pjesë e pandashme e Serbisë. Kushtetuta miratohet nëse më shumë se 50% e atyre që kanë të drejtë për votë, shprehen në favor të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.