2006-10-10 18:22:57

Ndoshta Kapitulli 7 i OKB-së për Korenë e Veriut; a do të hapen dosjet e diktaturës në Shqipëri? e lajme të tjera...


(10.10.06) SHBA dhe Japonia po punojnë për një rezolutë me tone të ashpra kundër Koresë së Veriut, pas provës bërthamore të kryer dje, dënuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së e nga shumë shtete e organizma në të gjithë botën.
Amerikanët kanë bërë të ditur sot se nuk kanë ndërmend të ulen në një tryezë bisedimesh dypalëshe me qeverinë e Piongjangut dhe se kjo bëhet edhe më e vështirë pas kërcënimeve bërthamore. Sot agjensia e lajmeve e Koresë së Jugut, duke cituar burime anonime zyrtare të Koresë së Veriut, shpjegonte se qëllimi i vërtetë i Piongjangut është hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë, për të evituar kështu situatën, në të cilën, sipas funksionarit në fjalë, do të ishte e detyruar të përdorte raketat bërthamore.
Ndërkaq, autoritetet e Kinës u kanë anulluar lejet të gjithë ushtarëve që kryejnë shërbimin në kufirin me Korenë e Veriut. Disa njësi po kryejnë stërvitje, në gatishmëri për çdo gjendje emergjence që mund të krijohet.

Irani dënon përdorimin e armëve bërthamore, por ka nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar eksperimentin atomik të kryer nga Koreja e Veriut. Zëdhënësi i qeverisë së Ahmadinexhadit u bëri madje thirrje superfuqive që të japin ato të parat shembullin, duke shkatërruar arsenalin e tyre bërthamor.

Një grup prej 5 vetësh ka marrë pjesë në vrasjen e gazetares ruse Anna Politkovskaja, të shtunën e kaluar në Moskë. Sipas gazetës popullore ruse “Komsomolskaia Pravda”, policia është në kërkim të 5 vetëve, të cilët kanë luajtur role të ndryshme në atentat. Ata shihen në videot e xhiruara nga telekamerat e policisë vendosur në afërsi të shtëpisë së gazetares. Pas presidentit Putin, edhe zëdhënësi i parlamentit rus premtoi sot paradite se do të bëhet ç’është e mundur për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të shëmtuar. Putin pat folur dje me presidentin amerikan Bush mbi këtë çështje.

Në Shqipëri politika shprehet për hapjen e dosjeve të komunizmit. Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që të bëhen të njohura arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit. Propozimi bën pjesë në diskutimin e një rezolute ku të dënohet zyrtarisht komunizmi dhe të vendoset një ditë të caktuar në përkujtim të viktimave të tij. Parlamenti shqiptar nuk është ndarë më në pozitë dhe opozitë, por në pro dhe kundër këtij propozimi, i cili gjen kundërshtarë dhe përkrahës në të dyja palët. E qartë është se ka kaluar mjaft kohë, gjatë së cilës dosjet mund të jenë zhdukur ose manipuluar, siç është hipozuar disa herë.

Javën e ardhshme, kryenegociatori i statusit të Kosovës dhe ndihmësi i tij kanë ndërmend të paraqesin propozimin e tyre për planin që do të zgjidhë përfundimisht kornizën politike në të cilën do të hyjë vendi. Sipas një opinioni tjetër të Ahtisaarit, zgjidhja nuk mund të gjendet në marrëveshjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, prandaj do të jetë një propozim i veçantë i tij, për t’u diskutuar me SHBA, Rusinë dhe Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, anullohet takimi i sotëm ndërmjet presidentit të Shqipërisë Moisiu dhe atij të Kosovës Sejdiu. Duket se Sejdiu ka paraqitur arësye familjare që e kanë penguar të shkojë në pikën kufitare të Morinës. Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar dje, të dy presidentët janë marrë vesh ta shtyjnë takimin për një ditë tjetër.

Krerët e organizatës integraliste Hamas kanë kundërshtuar pikat kryesore të një propozimi të Katarit për qeverinë e unitetit kombëtar palestinez. Iniciativa e paraqitur nga ministri i jashtëm i Katarit, al-Thani përfshin gjashtë pikë, por Hamasi ka hedhur poshtë dy prej tyre, që kanë të bëjnë me njohjen e Izraelit. Ky kusht është vendosur nga bashkësia ndërkombëtare për rifillimin e ndihmave ekonomike për Autoritetin Palestinez.

Rritet vazhdimisht numri i familjeve irakiane, të cilat detyrohen të braktisin vendet e origjinës për shkak të dhunës sektare. Sipas një raporti të sotëm të ministrisë irakiane kompetente, të shpërngulurit në të gjithë vendin arrijnë shifrën 300 mijë vetë. Rreth 51 mijë familje janë të detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre në zona ku aktiviteti terrorist, dhuna sektare dhe skuadrizmi është më intensiv. Vetëm në Bagdad, 9 mijë familje kanë braktisur shtëpitë. Ndërkaq, të paktën 10 persona u vranë e katër u plagosën gjatë shpërthimit të një autobombe po në kryeqytet. Policia ka gjetur rreth 60 trupa pa jetë në pika të ndryshme të qytetit, të cilëve akoma nuk u ka dhënë emër.

Një person i dyshuar si anëtar i organizatës terroriste Al Kaida është kapur sot në Gjermani. Personi, 36 vjeçar, me origjinë irakiane ka pasur si detyrë të përhapte nëpërmjet internetit videot dhe regjistrimet audio të mesazheve të Osama Bin Ladenit dhe eksponentëve të tjerë të organizatës.







All the contents on this site are copyrighted ©.