2006-10-09 17:04:09

“Humbja e kuptimit të mëkatit është dobësim i lidhjes me Zotin”: kështu u shpreh Papa duke u takuar me ipeshkvijtë e Kanadasë perëndimore.


(9.10.2006 RV)Sot, duke u takuar me ipeshkvijtë e Kanadasë perëndimore, në vizitë ‘ad Limina’ - ‘tek Varret e Apostujve’, Papa pohoi se njerëzimi ka nevojë ta rizbulojë kuptimin e mëkatit dhe pafundësinë e mëshirës së Hyjit, që të mos përhapen në botë përçarjet, lakmitë e korrupsioni.
Benedikti XVI vëren me gëzim se Kisha kanadeze është plot gjallëri, pavarësisht nga shekullarizimi në rritje i shoqërisë. Në këto rrethana, në reflektimin e tij, Ati i Shenjtë vuri posaçërisht në dukje një element: “humbjen e kuptimit të mëkatit”, gjë që në fund të fundit s’është tjetër, veçse dobësim i lidhjes me Zotin. Sot njeriu nuk e ndjen më veten mëkatar. Por në se themi se jemi pa mëkat – pohoi Papa duke cituar Shën Gjonin Apostull, - s’bëjmë tjetër, veçse gënjejmë vetveten. Kur nuk ndjehet më nevoja për të kërkuar falje e njëkohësisht për të falur – shtoi Shenjtëria e Tij – atëherë lind kultura e akuzës dhe e grindjes. Shumëzohen, kështu, shfaqjet e mëkatit: lakmia e korrupsioni, tradhtia në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e shfrytëzimi i djersës së tjetrit. Është një fenomen që vërehet në mënyrë të posaçme ndër shoqëritë ku sundon ideologjia shekullariste pas-iluministike. Atje ku Zoti përjashtohet nga diskutimi publik, pakësohet vetëdija e fyerjes që i bëhet Hyjit si dhe kuptimi i vërtetë i mëkatit – pikërisht si në rastin kur – vërejti Papa – vlera absolute e ligjeve morale relativizohet, kategoritë e së mirës e të së keqes zhduken e, së bashku me to, edhe pergjegjësia individuale. Papa citoi shembëlltyrën e Djalit plangprishës, që na tregon sa shpesh tundohet njeriu për ta shijuar lirinë larg Zotit. Por kur liria kërkohet pa e llogaritur fare Zotin, përfundimi është gjithnjë negativ: është humbja e dinjitetit personal, pështjellimi moral e shthurja shoqërore. Gjithsesi dashuria e pasionuar e Hyjit për njerëzimin – tha në vijim Papa – fiton mbi mburrjen njerëzore. Ati i Shenjtë komentoi tri figurat e shembëlltyrës: Atin, plot me mëshirë; djalin e vogël me gëzimin e faljes dhe djalin e madh, me paaftësinë për ta kuptuar ç’do të thotë dashuri pa kushte e për të menduar përtej kufijve të drejtësisë natyrore, duke mbetur kështu i zënë në kurthin e zilisë e të mendjemadhësisë, i izoluar nga të tjerët e i pakënaqur deri nga vetvetja.
Këtu Papa nënvizoi se përgjegjësia e ipeshkvijve për të vënë në dukje praninë shkatrrimtare të mëkatit, është shërbim që i bëhet shpresës së zjarrtë të njerëzve për të jetuar përvojën e dashurisë së pakufishme të Zotit. Vetëm kështu mund të kapërcehen përçarjet që gjithnjë më shpesh plagosin familjet e bashkësitë. E në këtë kuptim Papa i ftoi të gjithë ta rizbulojnë Sakramentin e rrëfimit që – theksoi – shpesh herë shikohet me indiferencë, ndërsa është mjeti i vetëm i cili na siguron shërimin që dëshirojmë. Nuk është kohë e humbur koha e kaluar në rrëfyestore: këtu hiri hyjnor nxjerr të mirën nga e keqja e jetën nga vdekja, duke i zbuluar njeriut fytyrën përdëllyese të Atit qiellor.









All the contents on this site are copyrighted ©.