(8.10.2006 RV)Sot, në Fiezole, pranë Firences, u shpall e Lume Maria Tereza
e Jezusit, në shekull Maria Skrili, themeluese e Institutit të Motrave të Zojës së
Karmelit, vdekur më 1889. Kremtimin e kryesoi prefekti i Kongragatës për Çështjet
e Shenjtorëve, Hosè Saraiva Martìns. Për të na folur për jetëshkrimin e së Lumes,
ftuam në mikrofonin e Radios sonë motrën Maria Stela Marcano, sekretare e përgjithshme
e Kongregatës dhe zevendës-postulatore e çështjes së lumnimit: Pyetje: -
A mund të na flisni shkurtimisht për jetëshkrimin e së Lumes? Përgjigje: - Maria
Skrili lindi në Montevarki, pranë Arecos, më 15 maj 1825. Ishte fëmija i dytë i një
familjeje borgjeze. Edukimi i saj iu besua mësueseve private. Që në moshë të njomë
iu kushtua me gjithë zemër lutjes. Në vitin 1846 hyri në kuvendin e motrave karmelitane
të Shën Maria Madalena Pacit në Firence, duke menduar ta realizonte aty thirrjen për
t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit. Por Hyji e frymëzoi të ndiqte një rrugë tjetër.
U shkrua në urdhërin e tretë karmelitan dhe, si u kthye në Montevarki, nisi misionin
e edukatores si drejtoreshë e shkollave normale femërore. Më 15 tetor 1854, së bashku
me disa shoqe, themeloi një institut të ri rregulltar. Motrat kishin si qëllim të
ishin kundruese e edukatore. Në vitin 1859, për shkak të vështirësive politike që
kalonte Italia, Instituti u mbyll e Nëna themeluese u detyrua të vendosej në Firence
ku në vitin 1875, me disa nga shoqet e vjetra, e riorganizoi bashkësinë. Nënë Maria
Tereza Skrili vdiq më 14 nëntor 1889, ditë në të cilën Karmeli kremton shenjtorët
e vet. Pyetje: - Cili është mesazhi i së Lumes për njerëzit e ditëve tona? Përgjigje:
- Nëna Maria Tereza përfaqëson shenjtërinë e njeriut të thjeshtë, që i thotë ‘po’
Zotit ditë për ditë. Jetoi me thjeshtësi e besnikëri. I tregoi botës se pasuria e
Zotit vlen më shumë se të gjitha pasuritë e botës. Mori anën e të ligshtëve, sidomos
të vajzave, asokohe të paemancipuara, duke provuar se fisnikëria e vërtetë qëndron
në aftësinë ungjillore për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit e të afërmit nevojtar.
E Lumja na tregon të gjithëve si duhet të jetojmë, për të qenë shenjtorë e për të
ndërtuar së bashku qytetërimin e dashurisë si burra e gra që e pranojnë dhuratën e
thirrjes së Zotit e i përgjigjen pa asnjë kusht dashurisë së tij të pakufishme, me
një gjallëri jete shpirtërore që përshkon çdo përmasë njerëzore e farkëton shenjtorë
në çdo vend e në çdo kohë.