2006-10-06 17:43:19

T’i bindesh së vërtetës e jo diktatit të opinionit të përgjithshëm, është virtyti themelor i teologëve. Kështu u shpreh Papa në Meshën e kremtuar sot me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar.


(6.10.2006 RV)Heshtje, kundrim, bindje ndaj së vërtetës, duke iu shmangur joshjeve të miratimit e të konformizmit: këto janë virtytet për të cilat foli Benedikti XVI në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, kryesuar nga kardinali Uiliam Levada, mbledhur në Vatikan nga 2 tetori i kaluar për të diskutuar posaçërisht rreth temës së fëmijëve të vdekur pa marrë sakramentin e Pagëzimit.
Në se thirrja e teologëve është të flasin, për të vënë në dukje në çdo kohë fjalët kryesore e për të arritur kështu tek Fjala e Zotit, Papa u këshilloi heshtjen e kundrimin, duke ndjekur shembullin e Shën Brunos, i cili u festua sot. Më pas u kujtoi se Zoti nuk është subjekt, por objekt i teologjisë, që na fton të heqim dorë nga fjalët tona, për t’iu bindur së vërtetës, e kjo kërkon “spastrimin” e shpirtit tonë, siç na e shpjegon më së miri Shën Pjetri.
“Me fjalë të tjera – theksoi Papa – të flasësh duke pritur duartrokitje, të flasësh fjalët që dëshirojnë të dëgjojnë njerëzit, të flasësh sipas diktatit të opinionit të përgjithshëm, konsiderohet një lloj prostitucioni i fjalës e i shpirtit; ndërsa pastërti do të thotë të mos i nënshtrohesh këtij standardi e të mos kërkosh duartrokitje, por t’i nënshtrohesh së vërtetës”.
E ky – nënvizoi Papa – është virtyti themelor i teologut…:
“… kjo disiplinë, edhe e vështirë, e bindjes ndaj së vërtetës, që na bën bashkëpunëtorë të së vërtetës, gojë të së vërtetës, sepse nuk jemi ne që flasim në këtë lum fjalësh që vërshon sot, por realisht të pastruar, në bindjen ndaj së vërtetës, në ne flet e vërteta e ne mund të jemi realisht mbartës të së vërtetës”.









All the contents on this site are copyrighted ©.