Sot Kisha katolike festoi shën Brunon. Misioni i tij: bashkimi i përhershëm me Zotin.
(6.10.2006 RV)Bruno lindi në Këln rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e
Katedrales së Reimsit, që i përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056
u caktua profesor i filozofisë dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë
e nxënësve të tij. Ndëmjet tyre ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani
II. Në vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase.
Me që ishte njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte,
që përfunduan vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri
për Reimsin. I pakënaqur nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë Molesmes,
ndërsa dy vjet më pas, së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën e Grenobles,
ku u mirëprit nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e
ipeshkvit ndërtoi, në trojet malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjërit jetonin
në heshtje, në lutje e në punë. Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin së
bashku për të thënë një pjesë të Ofices ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte në
ditët festive. Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e, posaçërisht,
veprimtarisë së kopjimit të dorëshkrimeve. Lindi kështu Urdhëri Çertozin. Në
vitin 1088 Urbani II e thirri në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti një mjedis
të korruptuar, në vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin e themeluar
pranë Grenobles, vendosi të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze. Realizoi
përsëri idealin e tij murgar duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi, në gjurmët
e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi rishtas një eremitazh sipas stilit të atij të Shartrëzës
e edhe këtu rreth tij u mblodhën shumë shokë, Vdiq në Serra Shën Bruno më 6 tetor
1101, i rrethuar nga një famë e madhe shenjtërie. Papa Leoni X, në vitin 1514, miratoi
kultin e tij; Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve të Shkurtores e në
Mesharin Romak, ndërsa Papa Benedikti XVI sot, duke bashkëkremtuar Meshën shenjte
me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në
Vatikan, e kujtoi kështu Shën Brunon, 905 vjet pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos,
i shenjtit që u festua sot, duket qartë në lutjen, që na shpjegon se misioni i tij
ishte: heshtje e kundrim. Por heshtja e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të
ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme, bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky
është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm
e të na shndërrojë plotësisht.