2006-10-06 19:29:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të 'B':
Nëse duam njëri-tjetërin, Zoti është me ne!


(07.10.06.R.V.) Të nderuar dëgjues e lexues të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.RealAudioMP3
Në këtë të diele Liturgjia na paraqet misterin e dashurisë, një mister i vendosur në planin e Zotit që ka krijuar burrin e gruan porsi dy qenie përplotësuese dhe në përngjasimin e tij. Misteri i dashurisë dhe ia i bashkimit mes personave është tema e liturgjisë së Fjalës së kësaj së diele. Shembulli tipik i këtij bashkimi është lidhja ndërmjet burrit e gruas, e dashur nga Zoti si shenjë e dashurisë së vet Krijuesit. Dashuria e anasjelltë është shenja më e lartë e lirisë për tjetërin në të cilën Jezusi na thërret me jetën e tij dhe me kumtimin e tij.
Në këtë drejtim lutja e dytë e hyrjes së Meshës së kësaj të diele na thërret t’i lutemi Zotit me këto fjalë: “në saje të Shpirtin tënd sjelli bijtë e Adamit në shenjtërimin e zanafillës së parë, e dhuroju atyre, o Zot, një zemër besnike, në mënyrë që kurrfarë pushteti njerëzor të mos marrë guximin të ndajë atë çka ti vet ke bashkuar”.
Të dy do të jenë një trup i vetëm: kjo është porosia e leximit të parë nga Libri i Zanafillës, me tërë simbolizmin e tregimit të zanafillës së njerëzimit. Për dashuri burri e gruaja bashkohen e shkrihen në një qenie të vetme, për të dhuruar së bashku jetën, e kështu për të qenë shenjë e nismës së vazhdueshme krijuese të Zotit.
Tema e vet zanafillës dhe thirrja në bashkim karakterizojnë leximin e dytë nga Letra e Hebrenjve: ajo sheh në Krishtin, Njëlindurin e shumë vëllezërve, pikën në të cilën është thirrur të përkojë mbarë njerëzimi.
Përsëri, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, marrë nga shën Marku, na propozohet ideali i zanafillës: njeriu të mos guxojë të ndajë çka Zoti bashkoi. Për të kuptuar këtë mister të bashkimit në thelbë lypen ndoshta sytë e gatishmëria që vetëm personat e thjesht, siç janë fëmijët, mund t’i kenë. Riferimi ndaj fëmijës si simbol i gatishmërisë dhe aftësisë së besimit na ofrohet nga pjesa e fundit e tekstit ungjillor që na propozon kjo e diele. Me pak fjalë, Fjala e Zotit e Mëshës Shenjte të kësaj së diele ndriçon e përforcon dashurinë që ne kërkojmë ta jetojmë brenda familjeve e bashkësive tona.

Homelia
Të dy do të jenë një trup i vetëm
RealAudioMP3 Njeriu nuk e ezauron thirrjen e vet ekzkluzivisht në zotërimin e materies dhe në përpjekjet e veta për përmirësimin e kushteve të jetës sepse ai bart në vetevete nevojën e takimit me një qenie për afërsi me të. Ai zbulon pikërisht vetveten tek gruaja. Strukturimi seksual i burrit dhe i gruas sikurse e tërë jeta e tyre trupore duhet kuptuar dhe duhet jetuar si prani, gjuhë dhe pranim i tjetrit. Trupi në njëfarë mënyre është sakramenti antropologjik fillestar, shenja e dukshme e së padukshmes. Trupi është krijuar për të transferuar në realitetet e dukshme të botës misterin e fshehur të amshimit të Zotit, duke u bërë kështu shenjë e tij.
Nw leximin a parë nga Libri i Zanafillës na paraqitet dukja e gruas në horizontin e jetës së burrit. Uniciteti i saj, plotësimi mes tyre kremtohen dhe shprehen në magjepsjen e burrit që njeh tek gruaja vetveten “Këtë herë ajo është trupi i trupit tim”.
Ndërsa ungjilli flet për fillimin duke nënkuptuar me të origjinën, shpalosjen e parë të këtij dhurimi reciprok sepse në të zbulohet edhe domethënia e njeriut dhe themeli i tij i përhershëm. Fillimi, pra, nuk është këtu çasti i parë kohor, por shpalosje fillestare, ajo tejdukshmëri e projektit hyjnor mbi seksualitetin njerëzor që del në pah falë aktit krijues të Perëndisë. Fillimi, siç thoshte Papa Gjon Pali II, është trashëgimia e çdo njeriu në botë, shpallja e parë e identitetit njerëzor sipas fjalës së zbuluar, burimi i parë i sigurisë së thirrjes së vet si person i krijuar në përngjasimin e Zotit.
Duke thënë këtë Jezusi gjykon ekonominë e vjetër të ligjeve të Moisiut dhe në të njëjëtn kohë tregon edhe kriterin e përhershëm të gjykimit, masën e së vërtetës. Po cili është kuptimi dhe e vërteta e kësaj lidhjeje mes burrit dhe gruas?
“Zoti e ka krijuar njeriun në përngjasimin dhe shëmbëllesën e vet duke e thirrur në jetë për dashuri e ka thirrur në të njëjtën kohë në dashuri. Zoti është dashuri dhe ai jeton në vetvete një mister afërsie personale dashurie. Duke e krijuar në përngjasimin e vet Hyji vazhimisht e mban njeriun në jetë dhe gdhend tek njeriu thirrjen, do të thotë aftësinë e dashurisë dhe të afërsisë. Prandaj dashuria është thirrja themelore e çdo qenieje njerëzore” (krah. Gjon Pali II). Është pikërisht në këtë domethënie “martesore” të fshehur te njeriu në të cilin gjen rrënjë ai realizim i njeriut nëpërmjet dhurimit të vetes, jo thjesht një dhurim, por dhurimi total dikujt. Në këtë domethenie “martesore” e ka fillesën pritja e zemrës së njeriut për t’u dashur nga dikush, për t’u gjetur i denjë për t’u dhuruar. Thotë filozofi rus Berdjajev “Dashuria është ajo që e shndërron individin në një person”. Kjo bën që të zër fill një dinamizëm perceptues së vetes si vlerë, përforcon ekzistencën në domethënien e saj. Dhe kjo domethënie “martesore” nuk është thjesht formë shpirtërore, por merr edhe konkretizimin e saj. Afirmimi i personit nuk wshtë gjë tjetër veçse pranim i dhurimit.
Lidhja e thellë mes burrit dhe gruas është më i thellë se çdo lidhje tjetër, është aq i thellë dhe intim saqë krijon gati një qenie të vetme. Krishti nëpërmjet fjalëve të ungjillit të sotëm nuk ndalet thjesht në dukjen e jashtme, por i jep kësaj lidhjeje rastin e një zgjatjeje në kohë.
Le të jetë kjo e dielë, pra, një ftesë për të gjithë ne, që duke kundruar sublimitetin e thirrjes që Perëndia ka shpalosur në ne, të mund të ecim me besim në këtë të vërtetë, sepse vetëm kështu do të mund të gjejmë atë paqe qe shpreh harmoninë me veten , Zotin dhe kozmosin që psalmi i liturgjisë na paraqet

Kështo do të bekohet njeriu që e druan Zotin.
Të bekoftq Zoti nga Sioni,
Paqe mbi Izraelin!

Ps. 127/128
don Arjan Shkurti nga Tirana







All the contents on this site are copyrighted ©.