2006-10-06 18:02:23

Imzot Miliore thekson në OKB nevojën e dialogut e të bisedimeve për çështjen bërthamore.


(6.10.2006 RV)Thirrja e fuqishme për dialog në temën e teknologjisë bërthamore – në qendër të fjalimit të imzot Çelestino Miliores, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së. Prelati foli për temën bërthamore në Komitetin e parë të Sesionit të 61-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke theksuar me forcë se dialogu në këtë fushë kaq kritike, duhet të ecë përpara. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë kujtoi se bota e sotme është në udhëkyq: mund të ndjekë rrugën e kufizimit të përhapjes së energjisë bërthamore, dmth rrugën e dialogut e të bisedimeve shumapalëshe, ose rrugën që çon në shumfishimin e numrit të shteteve që pajisen me teknologji bërthamore, gjë që ndikon edhe në rritjen e kërcënimit të terrorizmit bërthamor. Të krijohet përshtypja se bashkësia ndërkombëtare e ka ndër mend të ecë në rrugën e dytë – vërejti imzot Miliore – jo sepse është e vetëdijshme që duhet ndjekur kjo rrugë, por sepse nuk i ka bërë mirë llogaritë, për shkak të diskutimit shterpë e të paralizimit të mekanizmave shumpalëshe që kanë të bëjnë me rezolutat e konflikteve.
E dialogu është fjala kyçe që i përshkon të gjitha temat tjera, kur diskutohet për situata konfliktesh, shkatrrimesh, humbjesh të jetëve njerëzore. Imzot Miliore foli me shifra tepër shqetësuese: kujtoi se sot në botë numrohen 27. 000 armë bërthamore dhe se shpenzimet ushtarake e kalojnë shifrën e një mijë miliard dollarëve. E forcat ushtarake nuk ndikojnë aspak në përmirësimin e jetës së njeriut, përkundrazi: e brejnë qytetërimin duke i shkaktuar njerëzimit vuajtje të mëdha, që nuk mund të përligjen në një epokë së cilës nuk i mungojnë mekanizmat për të biseduar, për të ndërmjetësuar, për ta siguruar e për ta mbrojtur paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.