2006-10-04 16:01:12

Në audiencën e përgjithshme vijoi katekizmi i Benediktit XVI mbi figurat e Apostujve: sot Papa foli për Bartolomeun.


(4.10.2006 RVRealAudioMP3 Ungjilli na paralajmëron të ruhemi nga paragjykimet e na fton të mos kënaqemi vetëm me fjalë, por të takohemi personalisht me Jezusin, në përmasën hyjnore e tokësore. Benedikti XVI u kthye sot paradite nga Kastel Gandolfo në Vatikan, duke përfunduar kështu periudhën verore që papët, sipas traditës, e kalojnë në qytezën laciale pranë portave të Romës. Për ta pritur, në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbledhur 40 mijë shtegtarë e besimtarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndoqën audiencën e përgjithshme. Sot Papa u përqëndrua tek figura e Bartolomeut Apostull, duke vijuar kështu ciklin e katekizmit të filluar nga gjysma e marsit të kaluar, kushtuar lidhjeve të ngushta ndërmjet Krishtit e Kishës së Tij, në kuadrin e të cilit, që nga maji, nisi të fliste për jetën e dymbëdhjetë nxënësve më afërt të Jezusit.
“Zoti na befason, duke na bërë ta gjejmë atë që kërkonim, pikërisht atje ku nuk e prisnim” - këtë u kujtoi Benedikti XVI mijëra shtegtarëve, të cilëve u paraqiti shembullin e Shën Bartolomeut. Apostulli njihet edhe me emrin Natanael, që do të thotë “Zoti ka dhënë”. Atë Shën Filipi Apostull e njofton se kishin gjetur Jezusin, të birin e Jozefit nga Nazareti. Natanaeli i përgjigjet me një paragjykim: “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?”. E Filipi ia kthen: “Eja e shih”. Prej këndej - tha Papa - do kuptuar se në lidhjen tonë me Jezusin nuk duhet të përqëndrohemi vetëm tek fjalët; që ta njohim mirë, kemi nevojë për një përvojë të gjallë:
“Dëshmia e të tjerëve është sigurisht e rëndësishme, sepse si rregull, e gjithë jeta jonë e krishterë fillon me kumtimin që vjen deri tek ne përmes veprës së një ose disa dëshmitarëve. Por më pas duhet të jemi ne vetë që hyjmë personalisht në lidhje të ngushtë e të thellë me Jezusin”.
“Qe një izraelitas i vërtetë, në të cilin nuk ka dredhi”, brohoret Jezusi duke takuar Natanaelin, i cili i përgjigjet: “Rabbì, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”. Kemi të bëjmë – shpjegoi Ati i Shenjtë – me pohimin e një feje të pastër, që nxjerr në dritë përmasën e dyfishtë të Jezusit:
“Nuk duhet ta humbasim nga sytë as njërën as tjetrën nga dy përmasat, sepse po të shpallim vetëm përmasën qiellore të Jezusit, krijohet rreziku ta bëjmë një qenie qiellore dhe të vagëlluar; e në qoftë se, përkundrazi, pranojmë vetëm praninë e tij në histori, errësojmë përmasën hyjnore, që e cilëson Krishtin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”.
Nuk kemi lajme të tjera për Bartolomeun – tha Papa – duke vërejtur më pas se bashkimi me Jezusin mund të jetohet e të dëshmohet edhe pa kryer vepra të jashtzakonshme.
Në përshëndetjet përfundimtare, Ati i Shenjtë kujtoi Shën Françeskun e Asizit, që u kremtua sot nga Kisha katolike dhe inkurajoi pjesëmarrësit në Takimin e 50-të të shoqatave të Radio Marisë në botë, mbledhur në Kolevalenca të Umbries. Ati i Shenjtë i uroi të vijojnë impenjimin për përhapjen, me valët e ajrit, të mesazhit të pashterrshëm të shëlbimit, që na dhuroi Krishti.
Para fillimit të audiencës së përgjithshme, Papa bekoi shtatoren e Shën Gjenovefës Torres Morales, vepër e skulptorit Alesandro Romano, që më pas u vendos në një nga kamaret, në muret e jashtme të bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Kujtojmë se Shën Gjenovefa vdiq në Saragozë të Spanjës më 5 janar të vitit 1956, ndërsa Gjon Pali II e shpalli shenjte më 4 maj 2003, duke e ia paraqitur besimtarëve katolikë si mjet të dashurisë së Zotit për njerëzit e vetmuar, që kanë nevojë për dashuri, për ngushëllim e për mjekim të trupit e të shpirtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.