2006-10-04 16:53:08

Nuk parashikohen probleme të veçanta sigurie për udhëtimin e Papës në Turqi pas rrëmbimit të avionit. Po shqyrtohet mesazhi për Atin e Shenjtë.


(04.10.06) Avioni turk i nisur dje nga Tirana për në Stamboll ka qenë sot në qendër të një seri deklaratash të kundërta. Ministria e Brendhsme turke deklaroi fillimisht se ai u rrëmbye nga dy vetë, por më pas e përgënjeshtroi lajmin. Policia italiane ka qenë gjithnjë e bindur se rrëmbyesi është vetëm një, Hakan Ekinçi.
Gjithsesi, ngjarja nuk i ka rënduar problemet e sigurisë për udhëtimin e ardhshëm apostolik të Papës Benedikti XVI në Turqi. Deklarata është e ministrit italian të Brendshëm, Xhuliano Amato, i cili sqaroi sot parlamentarët.
Hakan Ekinçi kishte një letër për Atin e Shenjtë, e cila po shqyrtohet nga Prokuroria e Brindizit. Sipas ministrit Amato, ai thjesht donte t’i shpëtonte shërbimit ushtarak që e priste në Turqi, por akoma mbeten gjëra për t’u sqaruar. Dy muaj më parë, siç shpjeguan edhe burime nga Shqipëria, ai ka kërkuar strehim politik në Tiranë. Si motiv Ekinçi pat parashtruar faktin që ishte i krishterë në mesin e myslimanëve dhe se nuk dëshironte të kryente shërbimin ushtarak në Turqi. Autoritetet shqiptare ia mohuan të drejtën për strehim politik dhe pikërisht dje policia e ka shoqëruar në aeroportin e Rinasit, prej nga është nisur me biletë të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Pilotit të avionit i tha se nëse nuk kthehej për nga Italia do të ndizte eksplozivin që, sipas tij kishte në trup, por edhe kjo nuk ishte e vërtetë. Për policinë italiane, në mesin e udhëtarëve nuk kishte bashkëpunëtorë të Hakan Ekinçit. Sot në mëngjes, në orën 6.30 udhëtarët e avionit turk u nisën me një avion tjetër për në Stamboll, ku ishin drejtuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.