2006-10-04 17:53:46

Alarm në qiejt e Indisë pas dyshimeve për terrorizëm Kondolica Rajs në Lindjen e Mesme; Irani nuk heq dorë nga strategjia bërthamore, tragjedia e të krishterëve në Irak.


(04.10.06) Ngrihet niveli i sigurisë në aeroportet indiane, pas alarmit për një rrëmbim të mundshëm të një avioni që lidh Indinë me Nepalin. Ky kërcënim vjen si pasojë e vendimit për dënim me varje të një personi me origjinë nga Kashmiri, i cili në vitin 2001 mori pjesë në një sulm kundër parlamentit indian.

Ndodhet që sot në Lindjen e Mesme sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs. Sot pasdite ajo është takuar në Ramallah me presidentin palestinez Abu Mazen, ndërsa në darkë e pret kryeministri izraelit Olmert. Ajo ndodhet në zonë në një moment të vështirë, jo vetëm për dy vendet, por edhe për formacionet kryesore politike palestineze, të cilat akoma nuk kanë arritur një marrëveshje per formimin e një qeverie të përbashkët. Tensionet ndërmjet fraksioneve të Al Fatahut dhe të Hamasit kanë shkaktuar sot vdekjen e një personi.

Centralet bërthamore iraniane i kanë dyert e mbyllura për inspektorët ndërkombëtarë, por jo për turistët e huaj që duan t’i vizitojnë. Është kjo përpjekja e fundit e presidentit Ahmadinexhad, i cili dëshiron të tregojë se programmi bërthamor i Teheranit ka vetëm qëllime paqësore. Irani nuk ka ndërmend të ndërpresë punën kërkimore në fushën bërthamore para fillimit të negociatava me bashkësinë ndërkombëtare. Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi evropian i politikës së jashtme, Havier Solana.

Tjetër atentat në Bagdad. Një seri shpërthimesh shkaktuan sot 13 të vdekur dhe 75 të plagosur. Gjendja, sidomos për familjet e krishtera, është gjithnjë e më tragjike. Një gazetë irakene shkruante dje se 30 familje të krishtera të Mosulit janë kërcënuar nga një grup islamik. Rreth 9 mijë vetë, sipas Organizatës Botërore të Migracionit, lënë çdo javë shtëpitë tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.